Telegrafi

Tetë vite nga nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e palestrës në Zahaq, prezantohet si projekt të ri

Më 18 korrik të vitit 2016 u nënshkrua marrëveshja e memorandum bashkëpunimit mes Komunës së Pejës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për ndërtimin e palestrës sportive në fshatin Zahaq të Pejës.

Përmes këtij memorandumi, MKRS-ja ka investuar mjete financiare prej 650 mijë eurosh për dy vite, sepse investimi do të bëhej në dy faza. Faza e parë prej 50 mijë eurosh ishte për vitin 2016, ndërsa faza tjetër prej 600 mijë eurosh për vitin 2017. Ndërsa, Komuna e Pejës mori përsipër të investojë 10 mijë euro në vitin 2017 për këtë projekt kapital, transmeton Telegrafi.

Në vitin 2021, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri pati thënë se punimet e këtij projekti do të përfundonin brenda vitit.

Sikurse kryetari Muhaxheri edhe MKRS-ja pohonte të njëjtën.

Ndërsa, tani kur janë bërë tetë vite që kur u nis ky proces, palestra akoma është në gjendjen e njëjtë.

Madje kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku bëri një postim në facebook ku këtij projekti iu referua si projekt i ri.

Telegrafi ka tentuar disa herë që të kontaktojë komunën e Pejës, madje kemi dërguar edhe pyetje për këtë çështje, por ata nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/