Telegrafi

Testime të tjera në Angli, Liga Premier konfirmon dy raste pozitive me coronavirus

Dy raste të reja janë konfirmuar me coronavirus në elitën e futbollit anglez Ligën Premier.

Kjo është faza e dytë e testimeve për skuadrat elitare, ku në fazën e parë kishin dalë pozitiv gjashtë pjesëtarë të klubeve.

Ka qenë vet Liga Premier që ka konfirmuar dy rastet e reja me coronavirus, ndërsa emrat e të infektuarve nuk janë bërë publik.
“Liga premier mund të konfirmojë se gjatë kësaj jave janë bërë 996 teste ku janë testuar stafi dhe lojtarët. Nga këto dy raste kanë dalë pozitiv në dy klube”, thuhet në njoftimin e Ligës Premier.

“Lojtarët ose anëtarët e stafit që kanë rezultuar pozitiv tani do të izolohen për shtatë ditë”.

Me këto dy raste të reja, numri i të infektuarve në elitën e futbollit anglez ka shkuar në tetë, por Liga Premier nuk i ka zbuluar emrat e të prekurve nga Covid-19.

“Për raundin e dytë të testimeve, numri i testeve për secilin klub është rritur nga 40 në 50”, thuhet në njoftimin e Ligës Premier.

Tani 20 klubet elitare në Angli kanë filluar stërvitjen, disa nga to në baza individuale ndërsa disa të tjera gradualisht po kalojnë në grupe.

Ende nuk ka një datë të saktë kur pritet rifillimi i kampionatit anglez, me datat 12 dhe 20 qershor si më të mundshmet. /Telegrafi/