Site icon Telegrafi

Termocentrali Kosova C në dilemë

Dy projekte të hartuara dhe 3.5 miliardë euro në pritje Termocentrali Kosova C në dilemë

Planet për të ndërtuar termocentralin me qymyr më të madh të botës janë bllokuar nga mosmarrëveshje mes Bankës Botërore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që fraksione të ndryshme të qeverisë janë ndarë gjithashtu, bën të ditur agjencia rajonale e lajmeve "Balkaninsight". Termocentrali me madhësi 2100 MW pritet t‘i japë fund ndërprerjes së dritave në Kosovë dhe ta kthejë këtë vend në eksportues neto të energjisë. Rezervat e bollshme të qymyrit, nëse shfrytëzohen siç duhet, mund të ndihmojnë ekonominë kosovare të rrisë investimet, duke shërbyer në këtë mënyrë si levë financiare për të gjithë zhvillimin ekonomik.

Por aktualisht, planet duket se kanë mbetur në vendnumëro për shkak të përplasjes së propozimeve të ndryshme, të cilat kanë diferenca të dukshme për shkak të peshës që i japin nevojave të ndryshme që duhet të plotësojë ky projekt, pra siguria energjetike, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e ambientit.

Në vitin 2006, qeveria e Kosovës hartoi planin përmes konsultave të kompanisë më të madhe të konsulencës në fushën e menaxhimit të teknologjisë, "Bearing Point". Kjo kompani u pagua nga USAID me 14 milionë euro. Por në të njëjtën kohë, Banka Botërore dërgoi këshilltarët e saj dhe shpenzoi 7 milionë euro për konsulencë.

Projekti kërkon shifrën marramendëse prej 3.5 miliardë eurosh investim, shifër kjo e rëndë edhe për vende të tjera më të mëdha të rajonit. Investitori do të zgjidhej përmes një tenderi që do të njoftohej në vitin 2007, ndërsa pjesa e parë do të përfundonte më 2012. Por detaje të ndryshme e vonuan përzgjedhjen e fituesit. Fillimisht disa organizata ambientale vendëse, pastaj Banka Botërore, filluan të vënë në pikëpyetje shumë detaje të projektit dhe në fund, qeveria e Kryeministrit Hashim Thaçi, kërkoi rivlerësimin e të gjithë projektit kur erdhi në pushtet në vitin 2007. Këshilltarët e paguar nga USAID kanë lobuar aktivisht për projektin e vet, por publikisht nuk kanë pranuar të komentojnë. Banka Botërore nga ana tjetër kërkon që projekti të përfshijë fillimisht një termocentral më të vogël.

Kështu, ndërsa këshilltarët e paguar nga USAID kërkojnë një termocentral me madhësi 2100 MW për t‘u ndërtuar brenda dhjetë vjetësh, Banka Botërore sugjeron një termocentral prej 1 mijë MW nën argumentimin se emisionet e një termocentrali më të madh do ta vendosin Kosovën në konflikt me kufizimet e Bashkimit Europian.

Një mosmarrëveshje tjetër lidhet me faktin se projekti i parë propozon privatizimin e termocentraleve ekzistuese bashkë me dhënien e licencës për termocentralin e ri, ndërsa Banka Botërore beson se ato ekzistueset duhet të privatizohen veçmas.

Vendi ku pritet të ndërtohet termocentrali i ri vlerësohet se mbart 1 miliard tonë qymyr, e mjaftueshme kjo për të ushqyer 2100 MW për 40 vjet. Banka Botërore kërkon që investitori t‘i paguajë qeverisë së Kosovës qymyrin në bazë të një çmimi fiks, por amerikanët vlerësojnë se kjo gjë thjesht do të sjellë çmime më të larta të energjisë për konsumatorët e Kosovës. Për këtë arsye, ata këshillojnë që investitori të paguajë një tarifë për çdo kilovat të prodhuar. Shumë kompani të rëndësishme ndërkombëtare kanë shprehur sakaq interes për këtë projekt. Termocentralet e reja të qymyrit sot kanë një eficencë energjetike shumë më të lartë se të vjetrit, por ndotja që ata prodhojnë mbetet një problem që nuk ka gjasa se do të zgjidhet.

Exit mobile version