Site icon Telegrafi

Terem Moffi enigmë e pazgjidhur për PSG, shënon dy gola dhe asiston në një tjetër në fitoren e Nice

Skuadra e Nice ka shkaktuar befasi duke mposhtur Parisin në “Parkun e Princave” në xhiron e vlefshme për javën e pestë në Ligue 1.

Mysafirët filluan furishëm ndeshjen duke shënuar që në minutën e 21-të të ndeshjes nëpërmjet Terem Moffit, i cili u gjend mjaft mirë në zonën e kundërshtarit dhe arriti të shënoi për 1-0.

I shpejtë ishte reagimi i vendasve, të cilët arritën të barazojnë shifrat vetëm pak minuta më vonë, më saktësisht në minutën e 29-të përmes Kylian Mbappe i cili shfrytëzoi për mrekulli një pasim nga Achraf Hakimi.

Deri në fund të pjesës së parë, të dyja ekipet patën raste për të shënuar por që nuk arritën  t’i konkretizojnë ato.

Me të filluar pjesa e dytë, në skenë shfaqet përsëri Moffi, i cili kësaj radhe asiston për bashkëlojtarin e tij Laborde, i cili shënon për të rikthyer përsëri avantazhin e mysafirëve.

Goditjen finale Parisi e mori në minutën e 69-të të ndeshjes me akterin kryesor të ndeshjes, Terem Moffin, i cili bëri një goditje të fuqishme në cepin e majtë të portës së Donnarummas për të çuar shifrat në 3-1.

Parisienët arritën që të ngushtojnë shifrat në minutën e 87-të të ndeshjes nëpërmjet Kylian Mbappes i cili shënoi golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje pasi u asistua nga Randal Kolo Muani i cili u fut në fushë në pjesën e dytë.

Paris-Saint-Germain tani rikthen vëmendjen tek Liga e Kampionëve, ku pas katër ditësh do të mirëpresin ekipin gjerman Borussia Dortmund, në kuadër të ndeshjes së parë në fazën e grupeve për edicionin 2023/24./Telegrafi/

 

Exit mobile version