Site icon Telegrafi

Terapia me anë të ngjyrave mund të ndihmojnë në trajtimin e shëndetit fizik ose mendor

Terapia me ngjyra është një formë e terapisë së shërimit dhe përdorimet e saj për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme të jetesës janë të njohura në shumë pjesë të botës

E njohur gjithashtu si kromoterapi, terapia me anë të ngjyrave klasifikohet si terapi alternative plotësuese.

Kryesisht, bazohet në perceptimin se secila prej ngjyrave të spektrit të dritës vepron në pjesë specifike të trupit tonë, duke ushtruar një efekt të dobishëm në shëndetin tonë mendor dhe fizik.

Terapia e ngjyrave ka një histori të gjatë. Të dhënat tregojnë se kjo terapi është praktikuar dikur në Egjiptin e lashtë, Greqi, Kinë dhe Indi.

Aristoteli, në veprën e tij “Rreth ngjyrave” por edhe në veprën “Fizika të vogla” merret me vetitë e ngjyrave si një mjet dekorativ, ashtu si dhe mjekësor.

Besohet se sjell një ekuilibër të shëndetshëm të energjive në formë jehone, shëndet të mirë dhe mirëqenien e një individi.

“Marrëdhënia jonë me ngjyrat ka evoluar krahas kulturave, feve dhe jetës sonë,” tha për Healthline ekspertja e terapisë Walaa Al Muhaiteeb.

“Ngjyra si shfaqje e dritës ka patur status hyjnor për shumë njerëz. Shëruesit egjiptianë vishnin parzmore me ngjyrë blu për të shënuar shenjtërinë e tyre,” shtoi ajo.

Sot, terapia e ngjyrave shihet kryesisht si terapi plotësuese ose alternative e mjekësisë. Për shembull, disa llixha ofrojnë sauna me kromoterapi dhe pretendojnë se ato ofrojnë përfitime për klientët. Njerëzit mund të zgjedhin dritën e kaltër nëse duan të pushojnë ose të ndihen të qetë, ose rozën nëse duan të detoksifikohen.

Al Muhaiteeb thotë se përdor terapi me ngjyra për të ndihmuar klientët e saj të luftojnë ankthin, të lehtësojnë depresionin dhe të lidhen më mirë me veten.

Shkenca pas terapisë

E vërteta është se hulumtimi mbi terapinë e ngjyrave është ende mjaft i kufizuar, sepse është një fushë e re, të paktën në botën e mjekësisë.

“Unë jam përballur me një rezistencë kur kam propozuar dritën si një qasje terapeutike”, tha për Healthline Mohab Ibrahim, Profesor i Asociuar i anesteziologjisë në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Arizonës, Tucson. Megjithatë, ai i është përkushtuar kësaj terapie.

“Ngjyrat kanë efekte të caktuara biologjike dhe psikologjike tek njerëzit dhe mendoj se është koha që ne të fillojmë t’i shfrytëzojmë,” thotë ai.

Tani për tani, shkenca e mjekësisë nuk mund të konfirmojë nëse dritat me ngjyra ose ngjyrat mund të trajtojnë sëmundjet fizike ose do të ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit mendor. Sidoqoftë, ka disa prova që mbështesin idenë se dritat me ngjyra mund të kenë efekte te trupat tanë.

Për shembull, terapia me drita përdoret për të trajtuar çrregullimin afektiv sezonal, një lloj depresioni që shfaqet zakonisht gjatë vjeshtës dhe dimrit.

Fototerapia me dritë blu përdoret zakonisht në spitale për të trajtuar verdhëzën neonatale, një gjendje që prek foshnjat. Gjendja shkakton nivele të larta të bilirubinës në gjak, duke bërë që lëkura dhe sytë të zverdhen.

Gjatë trajtimit, foshnjat vendosen nën llamba fluoreshente blu teksa flenë, në mënyrë që lëkura dhe gjaku të thithin valët e dritës. Këto valë i ndihmojnë të eleminojnë bilirubinën.

Studime të tjera tregojnë se shikimi i dritës blu gjatë ditës përmirëson vigjilencën, vëmendjen, gjendjen shpirtërore dhe kohën e reagimit.

Hulumtimi mbi dritën jeshile dhe dhimbjen

Ibrahim ka studiuar efektet e dritës jeshile te migrena dhe dhimbjen e fibromialgjisë. Ai e filloi këtë hulumtim kur vëllai i tij, i cili vuan nga dhimbje koke të shpeshta, raportoi se ndihej më mirë pasi kalonte kohë në kopshtin me pemë dhe gjelbërim.

Studimi i tij nuk është botuar ende, por ai pretendon se rezultatet janë shumë inkurajuese. Pjesëmarrësit po raportojnë më pak migrenë dhe dhimbje më pak të forta të fibromialgjisë pas 10 javësh të ekspozimit ditor në dritën e gjelbër LED.

Ibrahim dyshon se terapia me dritë jeshile do të zëvendësojë ilaçet tipike të dhimbjeve, por beson se do të lehtësojë dhimbjet.

Terapi në shtëpi

Teksa kërkimi mbi efektet e ngjyrave është ende në proces, nuk ka asgjë të keqe të përdorësh ngjyrat e caktuara për të përmirësuar gjumin dhe gjendjen tuaj.

– Zgjidhni opsionet në telefon/kompjuter të cilat shfaqin ngjyra më të ngrohta, në varësi të dritës së jashtme.
– Nëse keni nevojë për dritë nate kur flini, zgjidhni një në ngjyrë të kuqe të zbehtë.
– Ecni në gjelbërim për të lehtësuar stresin.
– Dekoroni ambientet ku jetoni me ngjyra për një gjendje shpirtërore më të qetë.

/Telegrafi/

Exit mobile version