Site icon Telegrafi

Teqeja e Melamive drejt restaurimit, QRTK në Prizren nis hartimin e projektit

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren në kuadër të angazhimeve për hartimin dhe zbatimin e projekteve për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ka kryer matjet në Teqen e Melamive në qendër të qytetit.

QRTK Prizren e ka cilësuar këtë Teqe si njëri prej monumenteve të rëndësishme të Prizrenit, që është i përfshirë në Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

 

“Kjo teqe vazhdon të jetë aktive dhe të ruajë vlerat e saj të çmuara. Në bashkëpunim me pronarët, poseduesit dhe shfrytëzuesit e objektit, QRTK-Prizren ka përfunduar matjet dhe ka filluar hartimin e projektit për restaurimin e saj. Ky projekt do të mundësojë ruajtjen dhe rikthimin e shkëlqimit të kësaj pasurie kulturore, duke garantuar që brezat e ardhshëm të kenë mundësinë ta trashëgojnë këtë monument të rëndësishëm historik”, thuhet në njoftimin e QRTK-së në Prizren, raporton Telegrafi.

Ruajtja e trashëgimisë kulturore sipas QRTK-së në Prizren është një përgjegjësi e përbashkët, dhe se me përkushtim dhe bashkëpunim, sigurohet që historia dhe identiteti të mbeten të gjalla. /Telegrafi/

Exit mobile version