Ish-ministri i Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, ka tentuar t’i japë fund jetës ndërsa ndodhej në paraburgim, deklaroi të mërkurën drejtori i shërbimit të korrigjimit të vendit, ndërkohë që kriza politike e shkaktuar nga shpallja e shkurtër e ligjit ushtarak nga presidenti vijon të përshkallëzohet.
Ndërkohë, policia e Koresë së Jugut bastisi të mërkurën zyrën presidenciale, konfirmoi një zyrtar i sigurisë presidenciale për CNN, si pjesë e një hetimi në zgjerim për shpalljen tronditëse, por jetëshkurtër, të ligjit ushtarak nga presidenti, Yoon Suk Yeol, e cila shkaktoi zemërim të gjerë publik në vend.
Yoon është ndaluar të largohet nga vendi, ndërkohë që prokurorët po shqyrtojnë akuzat e mundshme për kryengritje, ndërsa ligjvënësit e opozitës vazhdojnë të kërkojnë shkarkimin e tij, në një përplasje të paprecedentë politike që ka tronditur gjatë javës së fundit Korenë e Jugut.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Kim, u ndalua të dielën në kryeqytetin Seul, duke u bërë figura e parë e arrestuar në lidhje me këtë rast. Ai dyshohet se ka rekomanduar shpalljen e ligjit ushtarak dhe dha dorëheqje të enjten si ministër i Mbrojtjes.
Komisioneri i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Koresë, Shin Yong-hae, tha se Kim tentoi t’i jepte fund jetës para se të lëshohej një urdhër formal arresti të martën vonë.
Duke folur para ligjvënësve në Kuvendin Kombëtar, Shin tha se incidenti ndodhi në një banjo. Kur një oficer i shërbimit korrektues hapi derën e banjës, Kim hoqi dorë nga tentativa, shtoi ai.
Kim është zhvendosur në një dhomë izolimi dhe nuk ka probleme shëndetësore, tha Shin.
Incidenti ndodh pak më shumë se një javë pasi presidenti Yoon shpalli ligjin ushtarak në një adresim të papritur televiziv në mbrëmjen e 3 dhjetorit, duke akuzuar partinë kryesore opozitare për bashkëpunim me Korenë e Veriut dhe për “aktivitete antishtetërore”. Brenda vetëm gjashtë orësh, lideri u detyrua të tërhiqej, pasi ligjvënësit kaluan me forcë ushtarët për të hyrë në parlament dhe për të anuluar dekretin. /Telegrafi/