Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Derisa moda bën ndryshime esenciale, stili nuk vrapon pas trendeve. Dhe megjithatë stili nuk është kategori statike, evoluon bashkë me zhvillimin e personalitetit dhe nënkupton aftësinë e zgjedhjes së drejtë në mesin e objekteve të bollshme me të cilat jemi “të mbuluar”. Stili i reziston modës, moda atë e riintegron. Ato që në një situatë të caktuar i kemi zgjedhur t’i veshim, janë pjesë e shenjave të trupit të cilat na lehtësojnë komunikimin me njerëzit e tjerë dhe zotërimin e situatës. Enkelejda Shatri paraqitet pikërisht këtu, duke u prezantuar klientëve se çka është stili dhe njëkohësisht duke komunikuar me shtëpitë e modës, me materialet dhe teksturat, ngjyrat dhe stilet.
Ledi, a e prezantoni veten si dizajnere apo stiliste? Apo këto thjesht nuk shkojnë pa njëra-tjetrën?
Është një pyetje që shpesh më parashtrohet dhe nuk është e vërtet që ato nuk shkojnë pa njëra-tjetrën. Por, unë do t’i ndaja në gjuhën shqipe Dizajnere, Stiliste dhe Kreatore. Një dizajnere bën vetëm procesin e dizajnit, jep idenë dhe, që të përfundojë një koleksion ose thjesht edhe një veshje, duhet të kalojë në duart e profesionalistëve të cilët merren me proceset e nevojshme të ndërtimit të produktit. Një stilist e bën edhe punën e dizajneres, por edhe ne të njëjtën kohë është profesionaliste në stilime të ndryshme që janë të nevojshme për fotografime ose kombinime të ndryshme në ambientet reklamuese. Është një punë të cilën nuk e bën gjithkush dhe do shumë talent. Ndërsa, një kreator di t’i bëjë dhe ka njohuri në të gjitha proceset, duke filluar nga ideja, vizatimi, patroni, modelimi dhe deri te qepja, rifiniturat e një veshjeje dhe koleksioni. Nuk do të thotë që një kreator i bën vet të gjitha këto procese, por njohuritë që i ka marrë në këto larmi, e kompletojnë si profesionaliste dhe e ndihmojnë shumë që në fillim të të planifikojë ecurinë e procesit. Pra, një kreator është njëkohësisht edhe dizajner dhe, një dizajner, është vetëm dizajner. Unë, duke folur pa modesti, e prezantoj veten si një kreatore.
Mënyra juaj e dizajnimit a mund të radhitet në ndonjë drejtim të caktuar?
Nuk e di në çfarë drejtimi shkojnë idetë dhe dizajnet e mia. Ato mund të fillojnë në një moment të caktuar duke marrë inspirim nga një material, nga një formë, nga një ide, nga një ndjenjë ose nga një përjetim. Mendoj që koleksionet dhe veshjet e mia, nuk shkëputen asnjëherë nga personaliteti im, që mendoj, është identifikimi i çdo stilisti. Deri tani puna ime është identifikuar si minimaliste, pak e stilit “french like”, por nuk do të thotë që në një të ardhme do të mbetet kështu çdo gjë varet nga inspirimi dhe ndryshimet mund të jenë të mëdha.
Ku është kufiri midis abstraktit (pikturimit) dhe realitetit (dizajnimit të rrobave)?
Kuptimi i abstraktes është diçka që shihet dhe është e paprekshme, pra çdo gjë mbetet aty, shihet, por nuk aplikohet, ndërsa realiteti shihet, preket, realizohet dhe nënkuptohet përgjigja nga shpjegimi që dhashë më sipër se, kufiri fillon atje ku çdo gjë që vizatohet, realizohet. Ne stilistët, jemi artistë ku artin tonë mund ta fillojmë nga idetë abstrakte dhe të ‘hulumtojmë që t’i transformojmë e ti aplikojmë në koleksionet dhe veshjet tona, pra ne e kalojmë këtë kufi.
A mendoni se më me rëndësi është të jesh në trend apo të kesh stil?
Ekziston shprehja e famshme e thënë nga Coco Chanel “Moda (trendi) shkon e vjen, stili mbetet” dhe unë jam ithtare e kësaj shprehjeje. Stili është identifikimi i çdo individi, i cili e personalizon dhe e identifikon çdo person. Dikush e ka të lindur dhe dikush e mëson gjatë jetës dhe e sofistikon atë. Stili është vlerë që jo gjithmonë shoqërohet me veshje të shtrenjta, por me një dukje të bukur dhe të sofistikuar në çdo kohë.
Ju jeni themeluesja e Akademisë “Evolution”, e cila është nga më të preferuarat për shumë studentë në drejtimet që ju ofroni. Çka është e veçanta e këtij institucioni?
Po, është e vërtetë që Akademia është një nga më të preferuarat e studentëve që duan të profesionalizohen në drejtimet e dizajnit dhe artit aplikativ. Dizajni i modës, Dizajni enterier, Dizajni i komunikimit dhe Artet mediale (gazetari televizive dhe video produksion) janë mjaft atraktive për të rinjtë, sepse afrojnë mundësi për ngritje profesionale, punësim në biznes privat dhe studime të mëtejme master në Akademinë tonë ose në shkolla më prestigjioze evropiane të dizajnit. E veçanta e Akademisë është që këto drejtime janë unike në Kosovë dhe në rajon. Ato gërshetojnë njohuritë e domosdoshme teorike dhe shkathtësitë e punës praktike të cilat, studentët tonë i transformojmë në krijues të pavarur dhe profesionist. Tashmë është e dëshmuar që prania dhe kontributi që japin profesorët tanë të dëshmuar, vendor dhe të huaj, e bën shkollën tonë më të suksesshme në profilet që ne ofrojmë. Por në të njëjtën kohë, vlerë të madhe kanë edhe organizimi i projekteve të ndryshe me studentë dhe profesorë gjatë viteve të studimit.
Çka është për ju moda?
Moda është fjala që përdoret më së shumti në stilin e veshjes, edhe pse kur është futur në përdorim është përdorur edhe për shumë arsye të tjera. Moda e veshjes është arti i të dukurës bukur në një kohë dhe në një vend të caktuar te çdo person që e shohim në çdo ambient që ne punojmë dhe jetojmë. Është një mënyrë e të shprehurit lirshëm, e cila shprehet me mënyra të ndryshme, pra me forma, ngjyra dhe linja të ndryshme. Është art vizual, i cili nuk ka nevojë për ekspozita në ambiente të veçanta. Të vetmet ekspozita të këtij arti vizual janë sfilatat e stilistëve të cilët na ofrojnë gjithmonë një trend të ri dhe që individi është ai që e cakton a do të vendosë ta përdorë këtë veshje në paraqitjen e tij vizuale dhe ta fusë me modë, apo do ta lë në atë sfilatë që e ka parë. Kur flasim për veshjet, mund të themi që janë veprat e arti vizual me të evoluara, më të shiturat në botë, më të kopjuarat dhe më të ndryshueshmet, njëkohësisht.
Kush e zbaton, e vë në jetë me përpikëri dhe shije të stërholluar modën dhe kush e shkel atë me këmbë?
Nuk është e rëndësishme që ta zbatosh dhe ta vësh në jetë me përpikëri modën ose trendin, por është e rëndësishme të kesh shije dhe të kesh sy kritik për veten dhe trupin. Kur një person e ka caktuar stilin e vet, ai kurrë nuk e shkel me këmbë modën. Sot, nuk është e vështirë të kuptosh dhe të zgjedhësh se çfarë të shkon dhe çfarë jo, kështu që personat që me të vërtetë e shkelin modën me këmbë, janë të patolerueshëm.
A konsideroni se moda, apo veshja me elegancë është virtyt i lindur apo i kultivuar?
Siç e thashë edhe më lartë, është virtyt i lindur, por unë jam e bindur se moda mund të kultivohet. Pra edhe n.q.s dikush ka talent, jo vetëm në dukjen vizuale personale, por edhe në fusha të tjera të artit dhe nuk e kultivon atë, atëherë mund të themi që mund të eci deri në një pikë të caktuar dhe mbetet në vend. Ndërsa, ka persona të cilët nuk e kanë virtyt, por me njohuri të marra dhe me analiza rreth modës fillojnë që të kenë një dukje sa më elegante dhe moderne njëkohësish, por kuptohet që këta persona nuk duhet të bëhen prehë ose viktima të trendit, i cili nuk iu përshtatet për shumë arsye që unë nuk dua t’i përmend se janë të shumta, sepse pastaj do të futeshin në një kategori tjetër njerëzish të cilët nuk do të quheshin as modern, as elegant, por do të quheshin vetëm kopjues dhe kopje të shëmtuara. Do të më vinte keq n.q.s një person e ka këtë virtyt dhe nuk e kultivon, sepse këta persona janë ata që ne i quajmë stilistë të lindur që mund t’i japin shumë stilit dhe modës në shoqërinë tonë.
Ju jeni kreatore e shkolluar, që do të thotë se e para i vëreni detajet e veshjes së bukur dhe të çoroditjes. Ku gjenden shqiptarët sa i përket veshjes me shije?
Është pak vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, sepse mund të themi që në Kosovë e kemi një shoqëri e cila ndahet në kategori të ndryshme si në të gjithë botën, po unë do të bëj një krahasim pak më të thjeshtë. N.q.s do ta krahasojmë me botën, ne e dimë që vendet evropiane që e prekin Mesdheun janë vendet më të zhvilluara përsa i përket modës. Moda ka lindur në Francë dhe e ka pasur zhvillimin e saj më vonë në Itali dhe Angli. Dhe, duke e krahasuar modën në Kosovë me këto vende, madje jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha vendet e Ballkanit, mund të bëj një notim nga njëshi deri te dhjeta, për mendimin tim jemi te e teta. Këtu mora përshembull një mesatare, sepse kemi një kategori njerëzish që për shkaqe financiare dhe të mosdijes, blejnë veshje shumë të lira të cilat janë dhe kopje të shëmtuara ose trende jobashkëkohore. Më vjen keq kur këto veshje i shoh jo të kombinuara mirë me ngjyra dhe stile në shumë persona dhe sidomos moshat e reja.
Kemi gjithashtu edhe një kategori njerëzish të cilët kanë mundësi financiare që, jo vetëm të blejnë, por edhe të dalin jashtë Kosovës të zgjedhin trendet e fundit. Por, edhe këtu do të kritikoja shumë prej këtyre personave të cilët edhe pse i kane këto mundësi, prapë bëjnë gabime në kombinime dhe në përzgjedhje, sepse jo çdo gjë mund të blihet shtrenjtë dhe të përshtatet mirë. Kemi edhe një kategori të tretë të personave, të cilët me shpenzime jo shumë të mëdha, vishen dhe duken shumë bukur. Janë këta njerëz të cilët edhe pse harxhojnë mesatarisht për
veshjen e tyre, dinë të ndjekin trendet e fundit në modë dhe kanë sy kritik për trupin, moshën, statusin, ngjyrat, kohën, ambientet ku punojnë dhe studiojnë. Por, në përgjithësi, unë them që shoqëria ka filluar të marrë më shumë njohuri rreth modës dhe veshjes, ajo di të zgjedhë se çfarë duhet të veshë, apo jo.
Keni patur ndonjë rast ilustrativ i cili mund të merret si shembull i veshjes së bukur dhe e kundërta?
Gjithmonë ndodh që njerëzit ndikohen shumë nga veshjet e VIP-ave të estradës, politikës, etj. Sidomos këngëtarët janë ata që promovojnë veshjet në një kohë shumë të shpejte dhe janë ata të cilët i servirin veshjet në popullatë. Ne stilistet, vitet e fundit kemi bërë një ndryshim rrënjësor në ndërtimin e imazheve të ikonave të modës. Jemi ne stilistët që, jo vetëm këtu në Kosovë, por në botë, që i kemi kthyer këngëtaret në ikona të modës. Në trevat shqiptare është një numër i madh i atyre që merren si shembull, por unë dua të përmend Jonida Maliqin për ndryshimin e madh që ajo bën zakonisht në dukjen e saj të jashtme dhe mund të them, është figura publike më avangarde në skenën. Ka edhe shumë emra të tjerë të cilët mund t’i përmend, por do të përmendja edhe Leonora Jakupin që për dallim nga Jonida është më pak eksperimentale, por e ka një stil më elegant dhe shik në të njëjtën kohë. Emra të tjerë mund të jenë shumë, si Dafina Zeqirin, Tuna, etj., të cilat tashmë e kanë krijuar imazhin e tyre dhe që ndërkohë sjellin dhe risi në skenë dhe videoklipe. Por, do të përmendja diçka tjetër, është pak shqetësuese në këtë pikë. Dëgjohet shpesh të kritikohen këngëtaret tona për veshjet dhe zhveshjet e tyre në prezantime të ndryshme. Këto kritika vijnë më së shumti nga persona të ndryshëm, të cilët janë prindër dhe kanë frikë që edhe fëmijët e tyre ndikohen nga ato. Të mos harrojmë një gjë që këto këngëtare janë në një hap me këngëtaret nëpër botë dhe është diçka normale që të prezantohen në mënyrë të tillë. Ndërsa, detyra jonë si prindër është t’u tregojmë fëmijëve tanë se ato janë veshje që përdoren vetëm në skenë ose videoklip dhe nuk vishen jashtë tyre.
Ju lutem, mos më kërkoni të përmend emra për ata persona publik të cilët nuk vishen bukur, sepse shpesh i marrin për shumë personale kritikat. Por, mund të them që numri i tyre nuk është i vogël.
A e përcakton çmimi veshjen e bukur, apo është kombinimi me shije që e bën dikë të duket bukur dhe elegant?
Në një libër të ikonës së bukurisë, aktores së madhe Sofia Loren, më kujtohet që në një pjesë jepte një këshillë shumë të vlefshme rreth veshjeve. Ajo këshillonte se mund të kombinohen shumë mirë një veshje e shtrenjtë me një veshje të lirë dhe do të dukeni shumë bukur. Dhe, unë jam e të njëjtit mendim që në veshje të përditshme, nuk është e nevojshme që të harxhohen shumë para, mund të vishet në veshje me një çmim mesatar, por është e rëndësishme që të mos ngatërrohen stilet dhe linjat. Ndërsa, për veshjet e mbrëmjes, materialet dhe çmimet janë më të larta duke mos harruar që ato janë veshje unike. Kuptohet, fjalën e kam për veshjet që dalin nga sallonet e stilistëve ose shtëpive të modës. Por, edhe në këtë rast them që nuk e cakton çmimi veshjen e bukur.
A i pranojnë në përgjithësi vështirë njerëzit kritikat në llogari të veshjes?
Varet shumë kush ta kërkon këshillën dhe kush jo. Në përgjithësi jam shumë kritike ndaj veshjes dhe edhe në rastet kur nuk më kërkohet, unë e jap atë kritikë; kuptohet, në shumicën e rasteve kur është pozitive. Kjo ndodh për shkak të deformimit profesional, ndërsa, atëherë kur nuk më pëlqen dhe nuk më kërkohet mendimi, e respektoj vendimin dhe zgjedhjen e personit. Në fund të fundit, çdo person është i lirë të veshë dhe të prezantojë veten ashtu siç ndihet më mirë. Megjithatë, në një përqindje shumë të madhe, personat që më kanë kërkuar këshilla të cilat i kam dhënë duke i bashkangjitur arsye të shumta dhe me bazë, kanë reaguar dhe kanë ndryshuar menjëherë, më kanë telefonuar ose kanë ardhur të më tregojnë se sa mirë e ndjejnë veten me ndryshimet e bëra. Të them të drejtën, më vjen shumë mirë kur shoh që njerëzit përpiqen dhe kanë dëshirë të ndryshojnë për t’u dukur bukur.
Po ju a visheni vet me shije…?
Nuk e di, besoj se po. Por, për veshjen time mund të flasin të tjerët të cilët dinë të bëjnë një kritikë të mirë. Një gjë e di që, që e vogël, veshjen time e kam pasur problem dhe kjo është një nga arsyet pse unë kam filluar të merrem me këtë profesion. Gjithmonë kam pasur dëshirë të dallohem nga të tjerët, më kanë pëlqyer veshjet autentike të cilat nuk i shihja të veshura nga femrat e tjera. Në moshën e adoleshencës dhe studimeve, kam qenë shumë eksperimentale në përzgjedhje të stilit. Ndërsa tani, pozicioni im si një drejtuese e një institucioni, e ka ndryshuar paksa veshjen time të përditshme duke u munduar që të ruaj kodin e veshjes, por prapë nuk mundem pa i futur një element dallues.
Sa i pranoni ju privatisht komentet dhe këshillat e të tjerëve, kur është fjala për stilin tuaj të veshjes?
Mendoj që edhe unë kam nevojë për këshilla dhe, kur jam në mëdyshje për veshjen që kam aplikuar, marr këshilla nga miqtë dhe motra ime por edhe këto raste nuk janë të shpeshta, por edhe kur m’i japin janë të mirëpritura (edhe pse me pak kokëfortësi nga ana ime).
Çfarë jeni duke punuar aktualisht?
Puna në Akademi nuk mbaron kurrë. Javën e dytë të korrikut fillojmë me Shkollën verore, e cila vitin e kaluar ka qenë shumë e suksesshme dhe jemi në ditët e fundit të përgatitjes. Në të njëjtën kohë, fillojnë regjistrimet të studentëve të rinj. Si një njeri që gjatë gjithë kohës nuk i lejoj vetes shumë pushim, jam në angazhime në dy projekte televizive të cilat kanë të bëjnë me kostumografi po edhe stilizim, dhe angazhime kohe pas kohe me klientelen. Një kohë të veçantë ia lë familjes sime, e cila është pjesa më e bukur dhe e rëndësishme e jetës. /Telegrafi/
Cover photo: Driton Vitia