Erik Ten Hag po kalon vitin e tij të parë te Manchester United, pasi në verën e këtij viti ka marrë drejtimin e gjigantit anglez.
Trajneri holandez ka pasur një nisje të dobët të sezonit, por me kalimin e kohës ka gjetur formën e duhur dhe United ndodhet në pjesën e epërme të tabelës.
Në vitin e tij të parë në Angli, Ten Hag ka thënë se synon të përfundojnë në mesin e katër skuadrave më të mira në Angli.
Por tekniku holandez nuk harron të përmend faktin se të punosh në Old Traford si trajner i Djajve të Kuq ka presion të madh.
“E pranoj, te United ka presion. Por, unë e pranoj të vërtetën kështu siç është dhe më takon të merrem me të. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se një presion i tillë është edhe për trajnerin e Chelsea apo Newcastle që në afatin kalimtar investuan shumë”.
“Ne kemi presion të madh pasi duhet të renditemi në katër vendet e para të kampionatit, ky është objektivi ynë. Jemi të vetëdijshëm se gara është shumë e fortë, por kështu edhe për shtatë apo tetë klube të tjera që gjithashtu luftojnë për një vend mes katër të parëve”.
“Kjo është diçka e mirë për kampionatin, njerëzit kënaqen me Ligën Premier. Unë jam entuziast, po ndjek me vëmendje procesin dhe mënyrën si po paraqitemi në fushë”.
“Nuk duhen harruar rezultatet të cilat duhet t’i marrim, por theksoj se procesi po ecën mirë. Kemi bërë progres të madh dhe në gjykimin tim kemi shanse të larta për të qenë mes katër më të mirëve”, deklaroi tekniku holandez. /Telegrafi/