Telegrafi

Ten Hag zbulon arsyen pse Manchester United nuk po arrin të krijojë një seri pozitive të rezultateve

Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka thënë se kriza e lëndimeve është problemi kryesor që po e pengon klubin që të paraqitet në nivelin më të lartë.

Pas humbjes që pësuan ndaj Nottingham Forest, Ten Hag ishte i bindur se mungesa e disa lojtarëve kyç të tij ka qenë arsyeja e formës së dobët të United.

Manchester United nuk mundi të llogariste në shërbimet e dy sulmuesve, Rasmus Hojlund dhe Anthony Martial për shkak të gripit, ndërsa Lisandro Martinez, Casemiro dhe Mason Mount janë jashtë fushave që një kohë të gjatë.

Teksa lista e të lënduarve është mjaft e gjatë, kritikët argumentojnë se tekniku holandez ka pasur mjaftueshëm ekip të mirë për të shmangur nëntë humbje në Ligën Premier.

Lexo po ashtu Manchester United pëson humbje në udhëtim ndaj Nottingham Forest

“Lëndimet janë problemi kryesor. Gjithashtu disa probleme tjera por kryesisht lëndimet po na pengojnë që të zhvillohemi. Në janar shumë lojtarë do të rikthehen kështu që niveli ynë mund të jetë më i lartë. Ne kemi ndërruar nëntë herë dyshen e mbrojtjes. Nuk ka rëndësi gjithashtu, tifozët nuk duan të dëgjojnë këtë, ata duan të na shohin duke fituar dhe kjo është çka ne duhet t’u servojmë atyre”, ka thënë Ten Hag në një intervistë për Sky Sports pas ndeshjes.

Ten Hag do të marrë një “infuzion” kur disa lojtar kryesorë do të rikthehen nga lëndimi në janar.

Lexo po ashtu Si mund të rreshtohet Manchester United në vitin 2024, pasi Ten Hag konfirmoi “pesë blerje të reja”?

Sidoqoftë, presioni po vazhdon të rritet mbi holandezin, pasi ekziston mundësia që ai të shkarkohet në rast se situata në klub nuk përmirësohet.

Ndeshja e parë e vitit 2024 për ekipin e Ten Hag do të jetë ndaj Wigan në kuadër të Kupës FA. Fitorja në këtë takim është obligim për ta, pasi është mundësia e tyre e fundit për të fituar një trofe, andaj një eleminim do të shkaktonte probleme të mëdha për 53-vjeçarin./Telegrafi/