Erik Ten Hag i ka dërguar Ruben Amorimit një paralajmërim në intervistën e tij të parë që prej se u largua nga Manchester United.
Në tetor të vitit 2024, aventura e Ten Hag në ‘Old Trafford’ përfundoi pas disfatës që pësuan me rezultat 2-1 ndaj West Hamit.
Pavarësisht se fitoi Carabao Cup dhe FA Cup gjatë kohës sa ishte në krye të Unitedit, performancat e ekipit të tij në Ligën Premier dhe në Ligën e Kampionëve ishin të dobëta dhe ato i kushtuan me punë.
Për këtë arsye, ‘Djajtë e Kuq’ vendosën që Amorim të jetë zëvendësuesi i Ten Hag pas punës së tij fantastike me Sporting Lisbonën.
Sidoqoftë, ka qenë një fillim i vështirë për 40-vjeçarin pasi Unitedi momentalisht pozicionohet në pozitën e 15-të në Ligën Premier, 34 pikë larg liderit Liverpoolit.
Ndonëse intervista e plotë nuk është publikuar ende, nga një pjesë e shkëputur e saj shihet se si Ten Hag e paralajmëron kolegun e tij.
“Ne kishim shumë ngritje tek Man United, por siç kam thënë gjithmonë: ka gjithmonë hapësirë për përmirësim. Mirë nuk është mirë mjaftueshëm”, ka thënë Ten Hag.
Holandezi gjithashtu zbuloi se një gjë që i mungon nga koha sa ishte trajner i Unitedit është atmosfera në ‘Old Trafford’.
55-vjeçari ishte raportuar se do të bëjë një rikthim të shpejt në stol ku kishte klube si Ajax, Borussia Dortmund dhe Feyenoord të interesuar për të, por ai konfirmoi se nuk do të marrë një punë të re deri në verë./Telegrafi/