Erik Ten Hag raportohet se është i hapur për të marrë një rol të ri tek Manchester United, teksa detaje të një klauzole speciale të kontratës së tij janë zbuluar.
Teksa sezoni i tij i dytë tek Manchester United po shkon drejt fundit, presioni mbi supet e teknikut holandez po vazhdon të rritet.
Mbrëmjen e së enjtes, United pësoi dy gola në minutat e fundit të takimit, duke humbur ndeshjen ndaj Chelseat me rezultat 4-3.
“Djajtë e Kuq” tashmë kanë humbur 12 ndeshje në Ligën Premier këtë sezon dhe momentalisht renditen në pozitën e gjashtë në tabelë.
Sipas mediumit anglez The Athletic, Ten Hag do të ishte i hapur që të vazhdonte si trajner i United në vazhdim, mirëpo është raportuar se në bazë të një klauzole të fshehur në kontratën e tij, holandezi mund të humbasë të drejtën e vetos që ka mbi transferimet në kontratën e tij.
Rekrutimi i lojtarëve të rinj në “Old Trafford” ka qenë një përpjekje e vazhdueshme e bordit të klubit, që prej emërimit të Ten Hag në 2022.
Megjithatë, humbja e fuqisë së vetos mund të mos ndryshojë aq shumë gjërat. Për shembull, trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola nuk ka të drejtën e vetos në kontratën e tij me Cityn, por transferimet nuk bëhen pa miratimin e tij./Telegrafi/