Site icon Telegrafi

Temperatura të larta dhe të reshura, në pesë ditët e ardhshme

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, mot me reshje dhe temperatura të larta do të na shoqërojë pesë ditëve të ardhshme.

Të hënën dhe të martën vendi do të jetë nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ulët atmosferik. Si pasojë e depërtimit të këtyre masave të ajrit, do të krijohen kushte për formimin e vranësirave të dendura dhe jostabile. Këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu dhe vende- vende me shkarkime rrufesh.

Temperaturat minimale në këto dy ditë do të lëvizin ndërmjet 11-13 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 19-22 gradë. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugut dhe jugperëndimit me shpejtësi deri 11m/s.

Nga dita e mërkurë e tutje pritet një stabilizim i motit. Shtypja atmosferike do të ngritet mbi vlerat e normales.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës pritet të shënojnë vlera mbi 30 gradë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i jugperëndimit. /Telegrafi/

Exit mobile version