Ndoshta të ka ndodhur dhe ty të kesh një parandjenje atëherë kur ai kalon një çast të vështirë, apo të “dish” kur është i mërzitur ose i lodhur, megjithëse s’të ka thënë asnjë fjalë.
Tashmë, neuroshkenca pranon se shumë ndjenja mund të transmetohen nga njëri tru te tjetri. Gjithashtu, gjendja shpirtërore e dikujt mund të rezultojë “ngjitëse”. Sigurisht, me kusht që personi tjetër të jetë i hapur ndaj kësaj përvoje.
Komunikimi jo verbal ose telepatia
Faza e parë e telepatisë është komunikimi joverbal. Të gjithë transmetojmë më shumë sa themi nëpërmjet mimikës, gjesteve, gjuhës së trupit, tonalitetit të zërit etj., por kur nuk e njohim mjaftueshëm personin në fjalë, mund të gënjehemi kur bëhet fjalë për mesazhet e transmetuara në këtë mënyrë.
Në rastin e njerëzve të dashur, mesazhet deshifrohen me shpejtësi dhe saktësi, aq sa mund të themi se bëhet fjalë për “leximin e mendjes”. Mund të flitet dhe për parashikimin e sjelljes së tjetrit dhe të dimë si vepron tjetri në rrethana të ndryshme, bazuar nga përvoja, por dhe nga diçka tjetër.
Empatia dhe “shqisa e gjashtë”
Një aspekt tjetër i telepatisë është empatia, që do të thotë se mund të ndiejmë atë që ndien një person tjetër, pse është i mërzitur apo i lumtur. Ekziston një fenomen, i cili lidhet me “shqisën e gjashtë”. Studiuesit kanë vënë re këtë manifestim pa pasur mundësi të gjejnë shpjegime bindëse. Janë bërë eksperimente, ku disa njerëz kanë arritur të komunikojnë me persona të tjerë, të cilët nuk ndodheshin në të njëjtën hapësirë.
Megjithatë, është vënë re se, nëse personi me të cilin doni të komunikoni është një i afërm, është më e lehtë për t’u bërë kjo gjë.
“Lojërat” e imagjinatës ose telepatia
Nuk mund të bazohemi gjithë kohën mbi telepatinë. Nganjëherë, pavarësisht se e njeh shumë mirë partnerin tënd, mund të gabosh. Imagjinata “luan” me ty. Mbi të gjitha, njerëzit ndryshojnë vazhdimisht dhe ajo, që mund të dukej e zakonshme dje, sot mund të duket ndryshe.
Sigurisht, është këndshëm ta surprizosh duke u sjellë sipas nevojave të tij, por mos beso se mund të lexosh çdo herë mendimet e tij apo ai të tuat. Më mirë do të ishte ta pyesje çfarë ndien e ç’dëshiron dhe të veprosh njësoj sesa të presësh nga ai të “zbulojë” ndonjë mesazh të pasqaruar nga ty.
Përvojat e përbashkëta
Psikologët mendojnë se çiftet, që kanë shumë vite bashkë dhe kanë kaluar shumë sprova jetësore, kanë mësuar të ndajnë të mirat dhe të këqijat. Ia njohin mirë cilësitë njëri-tjetrit, por edhe të metat. Kanë bërë të pamundur të marrin parasysh mendimet e tjetrit, kanë mësuar artin e kompromisit dhe kanë luftuar krah për krah për një synim të përbashkët. Në këtë mënyrë, pas të tilla eksperiencash, kanë mësuar të kenë besim te partneri dhe kanë një intuitë të mirë për sa u përket nevojave dhe dëshirave të tjetrit.
Thuhet se ata që qëndrojnë shumë kohë bashkë, fillojnë të ngjajnë, sepse secili prej tyre merr nga tjetri elemente të mimikës apo sjelljes. Kanë një mënyrë të përbashkët për të vepruar në situata të ndryshme, duke përshtatur disi fjalët dhe tonalitetin e zërit. Kështu që, shpeshherë, na duket sikur ngjajnë, por është përshtypje e gabuar. /Telegrafi