Prej dy ditësh banorë të zonave të ndryshme në qytetin e Ferizajt dhe të Lipjanit po vazhdojnë të përballen me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.
Kjo gjendje ka nxitur reagimet e qytetarëve duke kritikuar KEDS-in për shërbime jo cilësore.
Besmir Krasniqi nga Ferizaj ka thënë se qytetarët janë taksapagues të rregullt të faturave të energjisë, ndërkohë mungesa e energjisë po paraqet telashe.
‘’Kjo gjendje po e vështirëson edhe jetesën sepse qe dy ditë kemi reduktime dhe asnjë informacion nuk e kemi nga organet e KEDS-it’’, është ankuar ai.
Me gjendje më të rëndë po përballen edhe qytetarët në qendër të Lipjanit. Shumica prej tyre i shfrytëzojnë ngrohjet me energji elektrike gjatë sezonit të dimrit, andaj reduktimet me orë të tëra po u shkaktojnë telashe.
‘’Të hënën mbi 12 orë nuk kemi pasur energji elektrike, kurse gjatë së martës prej orës 9 të mëngjesit e deri më tash ende nuk ka ardhur energjia elektrike. Kjo është shqetësuese dhe e pa pranueshme për të gjithë. Ne shumica e qytetarëve ngrohemi me energji elektrike, prandaj reduktimet deri në këtë masë po e vështirësojnë edhe jetesën. Nuk po mundem e gjithë familja të qëndrojmë nëpër kafene për ta kaluar kohen shkaku i të ftohtit. Kërkojmë nga organet kompetente të KEDS-it mos të praktikohen reduktimet sepse jemi taksapagues të rregullt’’, ka thënë Lulezim Zejnullahu nga Lipjani.
Telegrafi ka provuar të marrë një përgjigje nga organet e KEDS-it, por asnjë nga numrat kontaktues nuk kanë qenë të qasshëm. Ndërkohë, telegrafi prej dy ditësh u ka dërguar edhe pyetje në e-mailin zyrtar, por deri në kohën e raportimit nuk kemi marrë përgjigje lidhur me mungesën e energjisë elektrike në këto dy qytete./Telegrafi/