Telegrafi

Tekstet shkollore në gjuhën turke në Prizren dalin në shitje prej të hënës në mesditë

Deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Enis Kervan ka bërë të ditur se tekstet shkollore në gjuhën turke do të vihen në shitje në libraritë e caktuara në Prizren nga dita e hënë.

Ai ka njoftuar prindërit dhe mësimdhënësit se bëhet fjalë për tekstet e aprovuara nga MASHTI, raporton Telegrafi.

“Tekstet shkollore në gjuhën turke, të shtypura nga Ministria e Arsimit në Kosovë për nxënësit tanë, si rezultat i angazhimeve tona, nga dita e hënë do të jenë në shitje në Prizren”, ka thënë Kervan.

Ai ka theksuar se këto tekste do të mund të blihen nga mesdita.

“Prindërit mund t’i blejnë tekstet shkollore në pikat e shitjes së teksteve në gjuhën turke në Prizren pas orës 12:00”, ka deklaruar Kervan, teksa ka uruar edhe fillimin e vitit të ri shkollor për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.

Vitin e shkuar, me nismën e deputetëve nga radhët e komunitetit turk e atij boshnjak në formë donacioni nga shtëpitë botuese qenë siguruar librat falas për nxënësit që vijojnë mësimin në gjuhën turke e boshnjake. /Telegrafi/