Teatri Rom “Nexhip Menekshe” në Prizren ka filluar përgatitjet për vënien në skenë të një drame të autorit gjerman, Bertolt Brecht, me dramaturgji dhe regji nga Mahir Musliu.
Sipas njoftimit të këtij teatri regjisori Musliu, me mjeshtërinë e tij artistike, “do ta rikthejë fuqinë e teatrit epik në skenë”.
“Ky projekt i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bashkon gjeneratat e artistëve, duke sjellë një ekip të shkëlqyer, me pjesëmarrjen e veteranëve të skenës, Daut Qulangjiu dhe Avdi Misini, si dhe aktorëve aktualë të Teatrit Rom “Nexhip Menekshe”, përfshirë Fatmirin, Benjaminin, Melisën, Gjynejtin dhe Mijedinin”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Aty sqarohet se për të forcuar më tej këtë produksion, janë angazhuar edhe profesionistë të njohur, si Gëzim Sertollaj, që do të sjellë një dimension unik në përvojën koreografike në lëvizjet skenike, si dhe Flamur Krasniqi, tonist nga Teatri Profesionist “Bekim Fehmiu”, për të garantuar një përvojë të jashtëzakonshme teatrale.
“Dhe jo vetëm ky ekip, por i gjithë Teatri Profesional “Bekim Fehmiu” do ta vazhdojë traditën për mbështetjen dhe fuqizimin e Teatrit Rom “Nexhip Menekshe””, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë theksohet se kjo premierë paraqet një hap të madh për fuqizimin dhe afirmimin e Teatrit Rom “Nexhip Menekshe”, duke dëshmuar se arti dhe teatri mbeten zë i fuqishëm i shoqërisë.
“Mos e humbisni këtë ngjarje unike që do të sjellë një interpretim të freskët, të guximshëm dhe thellësisht domethënës të Brecht-it!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/