Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” ka filluar përgatitjet për shfaqjen e re që do të titullohet “Menaxheria e Qelqët”.
Regjisor i shfaqjes është Ilir Bokshi, skenograf Petrit Bakalli dhe kostumografe Vesa Kraja, shkruan Telegrafi.
Në rolet kryesore do të luajnë aktorët: Eshref Durmishi, Irena Aliu, Qendresa Kajtazi dhe Mehmet Preteni.
Sipas njoftimit, shfaqja “Menaxheria e Qelqët” është një histori e mbushur me emocione dhe dramë, e cila trajton tema universale si konflikti mes realitetit dhe ëndrrave, sfidat e marrëdhënieve familjare dhe përpjekja për të kapërcyer kufizimet personale.
“Me një ekip artistik të përkushtuar dhe një vizion të fuqishëm, ne synojmë ta sjellim këtë histori në mënyrën më të ndjerë dhe të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e teatrit.
Teatri i Mitrovicës i ka ftuar të gjithë qytetarët të vijnë që të shikojnë shfaqjen, derisa dita e premierës dhe shfaqjeve do të bëhen të ditura së shpejti.
“Ju falënderojmë për përkrahjen e vazhdueshme dhe për dashurinë që tregoni ndaj artit dhe kulturës. Së bashku, do të ndërtojmë edhe një përvojë tjetër të paharrueshme në teatrin ‘Muharrem Qena’. Për më shumë informacione, qëndroni të lidhur me ne në kanalet tona zyrtare”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/