Me datë 22 dhe 23 nëntor, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, do të prezantohet premiera e shfaqjes “Djali”.
Kjo shfaqje sjell në skenë historinë e një familjeje në krizë, duke ofruar një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të teatrit.
Shfaqja “Djali” synon të zbulojë dhimbjet e fshehura dhe të heshtura të familjeve moderne, duke eksploruar ndërlikimet emocionale dhe sfidat që fshihen pas fasadës së përditshmërisë.
“Kur Nikolas, një adoleshent, fillon të izolohet dhe të shfaqë shqetësime të thella, prindërit e tij të divorcuar përpiqen ta ndihmojnë, duke u përballur me dinamikat komplekse dhe sfidat e marrëdhënieve të tyre,” thuhet në njoftim.
Përmes një ndërtimi emocional të fuqishëm, shfaqja trajton tema thelbësore, si shëndeti mendor dhe roli i prindërve në mbështetjen e fëmijëve që vuajnë në heshtje.
Shfaqja është një krijim i autorit Florian Zeller dhe është realizuar nën regjinë e Erson Zymberit. Në role interpretojnë aktorët: Kushtrim Qerimi, Yzeir Meha, Safete Mustafa-Baftiu, Tringa Hasani dhe Florent Salihu. /Telegrafi/