Teatri i qytetit të Gjilanit gjatë muajit nëntor sjellë një program të larmishëm të shfaqjeve për publikun e tij.
Në këtë program janë përfshirë shfaqje të ndryshme që synojnë të trajtojnë tematika të ndryshme.
“Një dorëzim në Spokan” është shfaqja e parë që është mbajtur me 8 nëntor, pastaj më 11 nëntor është mbajtur shfaqja “Meri Popins”.
Ndërsa, nesër (14 nëntor) do të mbahet shfaqja mysafire “Të gjashtët kundër Turqisë”, e cila është një nismë teatrore që eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë.
“Krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së”, thuhet në njoftimin e tyre.
Më 20 nëntor do të mbahet shfaqja “Parfumeria” nga Haqif Mulliqi. Shfaqje kjo që ka të bëjë me dy shokë të pandashëm që nga fëmijëria.
“Spajsi dhe Bruti, janë të dashuruar marrëzisht me të njëjtën grua, Merin. Të kapur nga emocionet e së shkuarës tani, në një azil pleqsh, ata përballen me ndjenjat e tyre të fshehura. Pavarësisht viteve që kanë kaluar dhe dashurisë për njëri-tjetrin, xhelozia, urrejtja, gënjeshtrat e së kaluarës dhe e vërteta rreth dashurisë së tyre për Merin, shpërthejnë në një përballje finale”, thuhet në njoftimin e teatrit.
Kjo përballje jo vetëm që zbulon plagët e tyre më të thella, por i çon edhe drejt një përfundimi tragjik, ku për herë të parë ata përballen jo vetëm me të vërtetën e dashurisë së humbur, por edhe me fundin e jetëve të tyre.
Në data 22-23 do të luhet premiera “Djali” nga Florian Zeller, ndërsa regjia Erson Zymberi.
Programi i shfaqjeve për muajin nëntor, do të përmbyllet me teatrin magjik të fëmijëve “Meri Popins”, shfaqje kjo e cila do të mbahet më 30 nëntor. /Telegrafi/