Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka njoftuar se të premten mbrëma (28 shkurt 2025) në program është repriza e tragjikomedisë “Deni dhe Deti i Thellë i Kaltër”, të autorit John Patrick Shanley, me regji të Ana Bateva.
Dyshja e aktorëve, Liridona Shehu dhe Alban Krasniqi, interpretojnë Robertën përkatësisht Denin, në shfaqjen që synon të vë theksin mbi dukurinë e tjetërsimit të vetvetes nga njerëzit.
Shfaqja kamertale nis nga ora 20:00, dhe dedikohet për publikun mbi 18 vjeç, raporton Telegrafi.
“Një histori e fuqishme për dashurinë, faljen dhe luftën për të mos u dorëzuar. Në mes të kaosit, dy njerëz të vetmuar përballen me veten dhe njëri-tjetrin, duke kërkuar mirëkuptim dhe shpresë në një botë që duket se ka dalë nga boshti i saj”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të Teatrit “Bekim Fehmiu”.
Teatri i Qytetit gjithashtu ka shtuar se kjo është “një tragjikomedi e fuqishme që nuk duhet humbur”. /Telegrafi/