Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka njoftuar se këtë javë mirëpret shfaqjen mysafire “Djali” të autorit Florian Zeller, nën regjinë e Erson Zymberit.
Kjo shfaqje teatrale në program është të premten, me 21 mars 2025, nga ora 20:00.
Sipas përshkrimit të shkurtër kjo vepër sjell në skenë një histori familjare prekëse.
“’Djali’ është historia e një familjeje në krizë. Është një thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Kasta e aktorëve përfshinë emra të njohur të skenës teatrale, si Kushtrim Qerimi, Yzeir Meha, Safete Mustafa Baftiu, Tringa Hasani dhe Florent Salihu.
Teatri i qytetit “Bekim Fehmiu” ka bërë të ditur se shfaqja është e formatit kamertal përkatësisht me një numër të kufizuar vendesh për publikun, prandaj dhe ka këshilluar rezervimin e biletave.
“Mos e humbisni këtë shfaqje që prek drejtpërdrejt shpirtin”, thuhet në njoftim, teksa sqarohet se projekti realizohet nga Ernest Zymberi në bashkëpunim me “Anamour” dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Telegrafi/