Site icon Telegrafi

Teatri “Bekim Fehmiu” në kërkim të veprave të reja për edicionin e dytë të “Contempora”

Drama “Ping Pong dhe Dashuri”, fitues i Contempora 2023

Teatri i Qytetit “Bekim Fehmiu” në Prizren i ka bërë thirrje dramaturgëve vendorë që të aplikojnë për Contempora 2024, që sivjet zhvillon edicionin e dytë. Ky teatër vetëm pak ditë më parë ka prezantuar premierën e dramës “Ping Pong dhe Dashuri” të autorit dhe regjisorit Butrint Pasha, që ishte shpallur fitues në Contempora 2023.

Në thirrjen e publikuar thuhet se ky projekt u ofron autorëve vendorë mundësinë për të sjellë veprat e tyre në skenë, raporton Telegrafi.

“Teatri i Qytetit ‘Bekim Fehmiu’ Prizren ju fton të bëheni pjesë e Contempora 2024, një platformë për zhvillimin e dramës vendore, e cila mbështet dhe promovon krijimtarinë e dramaturgëve vendorë. Ky projekt u ofron autorëve mundësinë për të sjellë zërat e tyre në skenë dhe për të zhvilluar dramaturgjinë bashkëkohore në vend”, thuhet në njoftim.

Aty sqarohet se tekstet e dërguara nuk duhet të jenë të inskenuara më parë.

“Të gjithë dramaturgët, teksti i të cilëve ende nuk është inskenuar, janë të ftuar të dërgojnë veprat e tyre për shqyrtim. Tekstet e përzgjedhura do të lexohen nga kasta e aktorëve të teatrit të Prizrenit në skenë para publikut, duke i ofruar autorëve një platformë për të ndarë idetë e tyre në një ambient profesional”, thuhet në thirrjen e Teatrit të Prizrenit.

Ngjashëm si në edicionin e parë, teksti fitues do të inskenohet nga ky teatër.

“Teksti fitues, i përzgjedhur nga një juri profesioniste, do të inskenohet nga Teatri “Bekim Fehmiu”, duke i ofruar autorit mundësinë për të realizuar veprën e tij në skenën teatrore të Prizrenit”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Në të njëjtën kohë shpjegohet se aplikimi duhet të dërgohet në adresën elektronike: teatribekimfehmiu@gmail.com, me titullin “CONTEMPORA2024”, duke bashkangjitur tekstin dhe një biografi të autorit, deri me datën 10 nëntor 2024.

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren, javën e shkuar, ka shfaqur premierën e dramës “Ping Pong dhe Dashuri”, të autorit dhe regjisorit Butrint Pasha, që ishte shpallur fitues në edicionin e parë të Contempora.

Drama në fjalë ka pasqyruar për publikun realitetin e zhvillimit të pakontrolluar urban dhe përplasjet emocionale që pasojnë, duke përkujtuar se urbanizimi, përveçse një proces ekonomik, është edhe një përballje e vazhdueshme mes identitetit, traditës dhe modernizimit, me ç’rast shtrohet dilema se çfarë duhet humbur për të ndërtuar një të ardhme të re. /Telegrafi/

Exit mobile version