Site icon Telegrafi

Teatri “Bekim Fehmiu” fillon punën për premierën e dramës “Ping Pong dhe Dashuri”

Contempora 2023, Teatri i qytetit "Bekim Fehmiu"

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka filluar punën për realizimin e premierës së radhës. Kësaj here në skenë do të vihet drama “Ping Pong dhe Dashuri” e autorit dhe regjisorit Butrint Pasha, si fitues i konkursit Contempora 2023.

Në njoftimin e Teatrit të qytetit thuhet se premiera planifikohet për javën e parë të muajit tetor, raporton Telegrafi.

“’Ping Pong dhe Dashuri’ është shfaqja e radhës, dramë e autorit dhe regjisorit Butrint Pasha e cila po inskenohet në Teatrin ‘Bekim Fehmiu’. Teksti është fitues i konkursit Contempora 2023 i organizuar nga teatri ynë me qëllim të promovimit dhe mbështetjes së dramës vendore. Premiera planifikohet të jepet në javën e parë të muajit tetor”.

Cikli i parë i konkursit Contempora nga Teatri “Bekim Fehmiu” ishte përmbyllur në prill të vitit të shkuar. Në kuadër të këtij projekti asokohe tri drama të reja nga autorët vendorë patën lexime skenike publike.

Veprat “Crypto Kosova” nga Agush Mulliqi, “Pluhur Luminarie” nga Arijeta Ajeti dhe “Ping Pong dhe Dashuri” nga Butrint Pasha, nën regjinë e Xheraldina Krasniqit, Kaltrim Balajt dhe Kreshnike Osmanit me leximin e aktorëve të këtij teatri qenë paraqitur para publikut dhe jurisë profesionale.

Juria e përbërë nga Doruntina Basha (dramaturge), Alban Morina (aktor) dhe Fatos Berisha (regjisor) pas vlerësimit patën propozuar inskenimin e veprave me këtë renditje:

Ping Pong dhe Dashuri;
Crypto Kosova; dhe
Pluhur Luminarie.

Teatri ‘Bekim Fehmiu’ Prizren pat bërë të ditur se me konkursin Contempora synon zhvillimin e dramës së re shqipe, jo vetëm me lexime skenike, por edhe me vazhdimin e zhvillimit të dramave në bashkëpunim me konsulentë dramaturgjik deri te vënia në skenë. /Telegrafi/

Exit mobile version