Site icon Telegrafi

Teatri amator rom nga Prizreni realizon paraqitjen e parë në Evropë me komedinë “Gugle Love”

Teatri rom “Nexhip Menekshe” për herë të parë gjatë ekzistencës së saj shumëvjeçare është paraqitur në skenën evropiane.

Trupa amatore e këtij teatri në Munster të Gjermanisë ka shfaqur komedinë “Gugle Love”, duke sjellë kulturën dhe artin rom nga Prizreni më afër diasporës së këtij komuniteti, raporton Telegrafi.

“Teatri rom ‘Nexhip Menekshe’ ka shkruar historinë me këtë paraqitje, pasi që është hera e parë që paraqitet në ndonjë shtet evropian”, thuhet në njoftimin e Teatrit.

Publiku i pranishëm, sipas njoftimit, ka ardhur jo vetëm nga Munsteri, por edhe nga qytete të tjera përfshirë Esseni, për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe mbështetëse në Primus Schule.

“Artistët tanë para publikut dëshmuan edhe njëherë nivelin e lartë artistik dhe teatror. Performanca jo vetëm që shpalosi talentin e tyre, por gjithashtu ndriçoi dhe pasuroi kulturën rome, duke sjellë krenari për të gjithë komunitetin”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Teatri Rom “Nexhip Menekshe” ka shprehur mirënjohje për përkrahjen nga publiku, aktivistët dhe organizatat rome në Gjermani, me të cilët po vijojnë takimet gjatë kësaj vizite.

“Këtë përkrahje nuk do ta harrojmë kurrë dhe do të punojmë për ta kthyer këtë të mirë”, thuhet në njoftim, teksa shprehet falënderimi edhe për MKRS-në për mundësimin e realizimit të kësaj ëndrre të teatrit rom nga Prizreni. /Telegrafi/

Exit mobile version