Telegrafi

A do të zhvillohen ndeshjet e Kupës së Kosovës: Prishtina, Drita dhe Ramiz Sadiku që janë gjysmëfinaliste kanë kërcënuar me bojkot të garave

Në mesjavë pritet të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ku tashmë është bërë delegimi i gjyqtarëve.

Prishtina do të përballet me Llapin, ndërsa Drita do të luajë me Ramiz Sadikun.

Tri nga katër klubet që janë pjesë e gjysmëfinales, nuk kanë marr pjesë në Kuvendin e Zgjedhor të sotëm.

Prishtina, Drita dhe Ramiz Sadiku janë pjesë e klubeve të pakënaqura me drejtimin e Agim Ademit, ndërsa para Kuvendit Zgjedhor këto klube kërcënuan me bojkot të garave.

Delegati i Dritës, Valon Zymberi, ka thënë se kandidati i tyre Gramoz Vokrri ishte legjitim dhe se nëse MRKS nuk merr masa ata do të bojkotojnë garat.

“Kandidati ynë ka qenë legjitim, ja ku mund ta shihni listën me nënshkrime. Duhet të intervenojë MKRS-ja dhe organet përgjegjëse. Në të kundërtën, nëse nuk merren masa nga institucionet, mbetet në opsionin tonë bojkoti i garave”, kishte thënë Zymberi.

Por Kuvendi vazhdoi normalisht dhe Agim Ademi me 42 vota, fitoi edhe një mandat në krye të FFK-së.

Mbetet të shihet se ky kërcënim i tij a do të bëhet realitet menjëherë një ditë pasi që Agim Ademi u zgjodh kryetar i FFK-së edhe për katër vitet e ardhshme, apo do të mbetet si ‘blof’, siç kanë ditur të bëjnë gjithmonë klubet tona. /Telegrafi/