Nga data 7 deri më datën 9 shtator, do të vazhdojë faza e tretë e dezinsektimit të hapësirave përreth lumit Llap dhe lumit Dumnica, në Podujevë.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga komuna e Podujevës, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit dezinsektimi po bëhet me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjeve.
“Dezinsektimi i hapësirave të jashtme bëhet me qëllim të zvogëlimit të insekteve fluturuese (mushkonjave dhe insekteve tjera) si masë parandaluese e përhapjes së sëmundjeve infektive”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim tregohet se kur do të bëhet dezinsektimi i disa fshatrave dhe parqeve të qytetit.
“Më datën 07.09.2024 do të bëhet dezinsektimi përreth lumit Llap, pjesa e qytetit dhe fshatrat Peran, Bajçinë dhe Dobërdol. Dezinsektimi i qytetit dhe parqeve kryhet me datën 08.09.2024, duke filluar prej orës 20:00. Më datën 08.09.2024 do të bëhet dezinsektimi edhe përreth lumit Llap, pjesa e qytetit dhe fshatrat Sekiraçë-Gllamnik, Siboc i Epërm dhe Penuhë. Më datën 09.09.2024 do të bëhet dezinsektimi përreth lumit Llap në Lluga, Lluzhan, Shakovicë, Lupç i Poshtëm, Sfeçël, Dumosh, Siboc i Poshtëm dhe Bellopojë”, thuhet në njoftim.
Komuna ju bënë thirrje qytetarëve që gjatë orarit të dezinsektimit të mos dalin në rrugë dhe të gjithë bletarëve të kenë kujdes në lëshimin e bletave.
“Dezinsektimi përreth lumenjve fillon në orën 08:00 të mëngjesit, kurse dezinsektimi i qytetit, rrugëve, rrugicave dhe parqeve fillon në orën 20:00. Gjatë kësaj periudhe luten qytetarët që t’i mbajnë të mbyllura dritaret në mënyrë që gjatë dezinsektimit të qytetit të mos futen insektet brenda hapësirave të banimit. Me këtë rast njoftojmë shoqatat e bletarëve dhe bletarët që ditëve të cekura si më lartë të mos i lëshojnë bletët jashtë koshereve gjatë kohës kur do të bëhet dezinsektimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/