Studimi konstatoi se ka më shumë të ngjarë që meshkujt të cilët publikojnë selfie në rrjetet sociale të jenë narcisoidë, impulsivë dhe atyre u mungon ndjeshmëria, përcjell Daily Mail.
Studiuesit gjithashtu zbuluan se vetobjektivizimi mund të jetë një problem më i madh për meshkujt se sa mendohej më parë, derisa shumë prej tyre shpenzojnë më shumë kohë në editimin dhe fshirjen e defekteve në foto para se t’i publikojnë ato në internet.
Studimi ka zbuluar se meshkujt të cilët rregullisht publikojnë selfie kanë shumë më tepër karakteristika antisociale se meshkujt e tjerë.
Për shembull, meshkujt të cilët e përmirësojnë pamjen e tyre para publikimit në internet tregojnë shenja të narcisizmit dhe vetobjektivizimit, thotë profesori i komunikologjisë Jesse Fox.
“Narcisizmi është më së shpeshti i lidhur me kotësi, por si një mangësi psikologjike ai është i lidhur me një ndjenjë të inteligjencës, atraktivitetit dhe superioritetit”.
Meshkujt të cilët i publikojnë fotot e tyre në internet kanë më shumë të ngjarë të tregojnë shenja të psikopatisë, të cilat definohen si mungesë e ndjeshmërisë ose ndjenjave dhe impulsivitetit për të tjerët.
“Psikopatia karakterizohet me impulsivitet. Ata do të bëjnë selfi dhe menjëherë do t’i publikojnë ato. Ata duan të shihen menjëherë, nuk duan të shpenzojnë kohë në përpunimin e fotove”, tha Fox.
Mjekët i anketuan 800 meshkuj të moshës 18-40 vjeç dhe shprehitë e tyre në rrjetet sociale, ndërkohë që i nënshtruan edhe ndaj testeve psikologjike për t’i zbuluar vetitë e tyre.
“Rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë, derisa të gjithë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar me pamjen e tyre. Kjo do të thotë se vetobjektivizimi mund të bëhet një problem i madh për meshkujt por edhe për femrat”, përfundon Fox. /Telegrafi/