Superliga e Maqedonisë së Veriut në futboll këtë të shtune do të ul siparin për këtë sezon me ndeshjet e fundit të xhiros së 33-të në program.
Me Struga Trim Lum kampion për herë të dytë radhazi dhe çështje të mbyllur për vendin e parë, vëmendja në xhiron e fundit të Superligës së Maqedonisë do të përqendrohet te gara për dalje në Europë.
Këtë sezon, nga Maqedonia e Veriut në garat europiane do të luajnë vetëm kampioni edhe vendi i dytë si dhe fituesi i Kupës.
Në këtë situatë, Shkupi dhe Shkëndija do të luftojnë për vendin e dytë, me kuqezinjtë tetovar që janë më të favorizuar për të përfunduar në këtë pozitë, pasi ndodhen dy pikë më shumë se skuadra nga Çairi.
Nesër, Shkëndija do të luajë në kryeqytet kundër Rabotniçkit, teksa Shkupi do të udhëtojë drejt Strugës për tu përballur me kampionët në ndeshjen e fundit të këtij sezoni, ku struganët në fund të takimit do të pranojnë edhe titullin e kampionit nga Federata e futbollit të Maqedonisë.
Ndërkohë, Voska Sport që siguroi mbijetësën në elitë, në xhiron e fundit do të luajë me Gostivarin në Ohër.
Në kuadër të xhiros së 33-të do të zhvillohen edhe takimet Vardar – Tikvesh, Brera – Makedonija Gjorçe Petrov dhe Bregallnica – Sileksi.
Të gjitha ndeshjet e xhiros së fundit në Superligën e Maqedonisë së Veriut do të luhen të shtunën, duke nisur nga ora 17:00. /Telegrafi/