Site icon Telegrafi

Të rinjtë e Dragashit fuqizohen për promovimin e turizmit lokal

Qendra Rinore “Avoko” në Dragash ka organizuar një trajnim për të rinjtë e kësaj ane, me qëllim të shtimit të njohurive të tyre për sektorin e turizmit dhe promovimin e vlerave lokale.

Sipas njoftimit të “Avoko”, trajnimi është realizuar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe Promovimi i Turizmit në Dragash – Platforma Inovative Visit Dragash”.

“Ky aktivitet kishte për qëllim të rrisë njohuritë e të rinjve mbi turizmin, mënyrat e promovimit dhe mundësitë e angazhimit në këtë sektor të rëndësishëm”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Krahas potencialit turistik në Dragash, të rinjtë janë njohur edhe me mënyrat për promovimin e atraksioneve turistike.

“Të rinjtë pjesëmarrës patën mundësinë të mësojnë rreth potencialit të turizmit në Dragash, si dhe teknikat e ndryshme për promovimin e atraksioneve lokale. Ky trajnim synon të fuqizojë të rinjtë që të luajnë një rol aktiv në zhvillimin dhe promovimin e turizmit lokal”, thuhet në njoftim.

Ky projekt i “Avoko” mbështetet nga Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor 2 (ReLOaD2), financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në partneritet me Komunën e Dragashit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version