Telegrafi

Të pjekur apo të përgatitur për klasë të parë?

Majlinda Zhitija-Gjelaj,
Master në pedagogji, asistente në Departamentin e Pedagogjisë

Diku në moshën pesë apo gjashtë vjeçare të fëmijëve, prindërit fillojnë të brengosen në lidhje me faktin se a është fëmija i tyre mjaftueshëm i pjekur apo i gatshëm për të filluar klasën e parë. Kjo brengë pason ndonjëherë me këshilla, si ato tradicionale ” tani je i rritur dhe do të fillosh shkollën”, “lodrave do t`u thuash lamtumirë tani me rastin e regjistrimit në klasë të parë”, “ duhet të sillesh mirë se mësuesja do të të rrah”, apo ato të tipit më bashkëkohorë, si ” tani do të fillosh klasën e parë dhe do të mësosh shumë gjëra të reja”, “ do të bësh shumë shokë dhe shoqe” etj.

Të gjitha këto fjalë tek fëmija parashkollorë krijojnë një ndjenjë, se diçka e panjohur po e pret atë në ditët në vijim. Dhe kjo ndjenjë e bën atë të ndihet i pasigurt.
Fëmija nuk duhet të ngarkohet me shumë fjalë mu para fillimit të klasës së parë sepse, çofshin ato këshilla shumë pozitive ato do të krijojnë stres dhe panik tek fëmija., sado i pjekur që ai të jetë.Çfarë është gatishmëria për shkollë?
Pjekuria shkollore dhe gatishmëria shkollore, janë dy koncepte të ndërlidhura por të ndryshme. Nganjëherë ato përdoren si sinonime, gjë që mund të shkaktojë konfuzion.

Pjekuria për shkollë
Pjekuria për shkollë është termi që zakonisht përdoret. Ajo nënkupton procesin e rritjes biologjike në zhvillimin e fëmijës kur aftësi të caktuara paraqiten para se ai të fillojë shkollën. Kjo përfshin pjekurinë fizike dhe mentale gjithashtu.
Ky është proces biologjik dhe nuk mund të përshpejtohet. Pjekuria emërton shkallën kur fëmija është në gjendje për mësim formal, për lexim, shkrim dhe numërim.
Zakonisht kjo lloj pjekurie arrihet diku në moshën gjashtëvjeçare. Por duhet shtuar se nga këndvështrimi pedagogjik, kjo pjekuri nuk garanton sukses në shkollë, sepse ndodh që edhe nëse fëmija ka arritur këtë pjekuri mjaftueshëm mund të mos jetë në gjendje të realizojë kërkesat e edukimit formal. Kjo nënkupton se fëmija nuk është ende i gatshëm për shkollë, edhe nëse intelektualisht është mjaft i pjekur për të ndjekur shkollën. Nëse fëmija nuk ndihet i sigurt, është një mundësi e madhe që nuk do të jetë në gjendje të tregojë pjekurinë e tij intelektuale.
Për këtë arsye duhet të përfshihet edhe koncepti i gatishmërisë për shkollë.Gatishmëria për shkollë
Gatishmëria për shkollë është një term i gjerë i cili përfshin zhvillimin intelektual, social dhe atë emocional.
Pjekuria nuk mund të influencohet nga faktorë të jashtëm, por gatishmëria për shkollë mund të inkurajohet duke zgjeruar fushën e përvojave të fëmijës dhe duke e mësuar atë që të përdor shqisat e tij në mënyrë sa më efektive.

“Gatishmëria është një shkallë në zhvillimin e fëmijës kur ai mund të mësojë lehtë, në mënyrë efektive dhe pa shqetësime emocionale. Nuk mund të jetë një pikë definitive e zhvillimit, sepse zhvillimi është proces i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Më tepër është një gjendje që tregon se fëmija është i gatshëm për të mësuar.”
Në mënyrë që të vlerësohet kjo gatishmëri, ne duhet të kemi parasysh jetën e fëmijës në përgjithësi. Asnjë fëmijë nuk bëhet i gatshëm për shkollë vetvetiu. Është një proces që ka nevojë për inkurajim. Fëmija duhet të edukohet për këtë gatishmëri. Së pari, është përgjegjësi e prindërve që të ofrojnë stimulimin e nevojshëm i cili duhet t`i përshtatet secilit fëmijë individualisht.

Asnjë fëmijë nuk ka të njëjtat aftësi, të njëjtat talente, inteligjencë, apo të zhvillohet ekzaktësisht në të njëjtën mënyrë me dikë tjetër. Dhe, jo të gjithë fëmijët janë të gatshëm për shkollë në kohën kur ata fillojnë klasën e parë.
Gatishmëria për shkollë është faktor vendimtar dhe në rend të parë është çështje edukative.
Edukata familjare, për shembull, luan një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e fëmijës drejt gatishmërisë për shkollë.Kërkesat për gatishmërinë për shkollë
Para se fëmija të jetë i gatshëm për shkollë ai duhet të përvetësojë:
Aftësinë e perceptimit, e cila i mundëson atij të interpretojë në mënyrë të kuptueshme. Ai duhet të jetë në gjendje të bëjë dallimin midis:
* të tashmes dhe të kaluarës
* të perceptojë format, ngjyrat etj., duhet të posedojë konceptet e marrëdhënieve të veçanta dhe
* pozitën në hapësirë

Fëmija duhet të jetë në gjendje gjithashtu që të perceptojë dhe reprodukojë drejtë në nivel vizual- motorik. Me fjalë të tjerë fëmija duhet të jetë në gjendje të përceptualizojë dhe konceptualizojë.
Këto aftësi perceptuale janë shumë të rëndësishme. Perceptimi vizual është i rëndësishëm për të shkruarit, të lexuarit, kopjimin, prerjen, bartjen etj. Perceptimi auditiv- dëgjimor, është i rëndësishëm për të dëgjuarit, fëmija nuk duhet të jetë në gjendje vetëm të dëgjojë por edhe të dijë të dëgjojë.
Fëmija duhet të përgatitet emocionalisht për të hyrë në një botë të re dhe ta zotërojë atë.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të përshtatet në mënyrë sociale situatave të reja, klasës, nxënësve, mësuesve, ambientit etj. Ai, gjithashtu duhet të dorëzohet para disiplinës dhe autoritetit.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të absorbojë dijet, të elaborojë ato, të krijojë dhe të reprodukojë ato.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të merret dhe të vlerësojë me situatat problemore.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të koncentrohet dhe qëndrojë.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të kapë situatat si të tëra dhe të dallojë marrëdhëniet në materialin e dhënë, me fjalë të tjera ajo që e ka mësuar t`i bëjë përshtypje.
Fëmija duhet të jetë në gjendje të absorbojë dijet jo për shkak të imponimit nga jashtë, por për shkak të nevojës së brendshme për të mësuar. Ai duhet të ketë një qëllim dhe aty duhet të ketë motivim të brendshëm.
Fëmija duhet të ketë shëndet të mirë trupor për të siguruar zhvillim. Ai duhet të jetë në gjendje të mirë të pamurit, të dëgjuarit, dhe fizikisht të jetë i fortë për të mësuar.
Fëmija duhet të ketë aftësi për të folur, për të kuptuar gjuhën dhe për të shprehur vetveten. Ai duhet verbalisht të jetë i përgatitur. Zhvillimi gjuhësor duhet të zërë vend.

Përgatitja e fëmijëve për klasë të pare është përgjegjësi, fillimisht e prindërve dhe më pas edhe e edukatorëve, nëse fëmija është i kyçur në institucion parashkollor. /Telegrafi/