Site icon Telegrafi

Të paktën nëntë të vdekur, pamje të pasojave të vullkanit Laki-Laki në Indonezi

Të paktën nëntë persona vdiqën pasi vullkani Laki-Laki në Indonezinë lindore shpërtheu të dielën, duke nxjerrë shtëllunga shpërthyese llave dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra aty pranë, thanë zyrtarët të hënën.

Vullkani në malin Lewotobi Laki-Laki, i vendosur në ishullin Flores në provincën Lindore Nusa Tenggara, shpërtheu të dielën në orën 23:57 me orën lokale, tha të hënën Hadi Wijaya, një zëdhënës i Qendrës së Vullkanologjisë dhe Zbutjes së Rrezikut Gjeologjik.

“Pas shpërthimit, pati ndërprerje të energjisë dhe më pas ra shi dhe rrufe të mëdha që shkaktuan panik tek banorët”, ka thënë ai për Reuters, duke shtuar se autoriteti e kishte ngritur statusin e vullkanit në nivelin IV ose më të lartë.

Lava e zjarrtë dhe shkëmbinjtë goditën vendbanimet më të afërta rreth tre kilometra nga krateri, duke djegur dhe dëmtuar shtëpitë e banorëve, tha Hadi.

Deri të hënën në mëngjes, të paktën nëntë njerëz kishin vdekur, tha Heronimus Lamawuran, një zyrtar lokal në zonën e Flores Lindore, duke shtuar se shpërthimi kishte prekur shtatë fshatra.

Fshatrat më të afërt u mbuluan nga hiri i trashë vullkanik të hënën në mëngjes, shtoi Heronimus.

Autoritetet janë ende duke mbledhur të dhëna për numrin e të evakuuarve dhe ndërtesave të dëmtuara.

Indonezia ndodhet në “Unazën e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik mbi pllaka të shumta tektonike. /Telegrafi/

Exit mobile version