Policia e Mianmar qëlloi për vdekje të paktën katër protestues të dielën dhe plagosi disa të tjerë, dita më vdekjeprurëse që kur ushtria vendase mori pushtetin më 1 shkurt.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, derisa demonstratat kundër grusht shtetit ushtarak, që rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të udhëheqëses, Aung San Suu Kyi, hynë në javën e tyre të katërt, forcat e sigurisë filluan një shtypje të dhunshme të protestuesve në qytetet e gjithë vendit.
Në qytetin më të madh, Yangon, një protestues u qëllua për vdekje kur policia hapi zjarr ndaj demonstruesve, raporton Reuters, duke cituar një mjek të spitalit. Mjeku, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha që protestuesi u soll në spital me një plagë plumbi në gjoks.
Ndërkohë në jug të vendit, tre njerëz u vranë dhe disa u plagosën kur policia hapi zjarr ndaj protestuesve në qytetin e Dawei.
Politikani vendas Kyaw Min Htike, konfirmoi se policia kishte qëlluar protestuesit në këtë zonë. /Telegrafi/