Telegrafi

Të paktën dhjetë të vdekur pasi militantët qëlluan një autobus që transportonte pelgrinë në Kashmir të Indisë

Militantë të dyshuar në provincën Jammu të Kashmirit në Indi kanë qëlluar një autobus që transportonte pelegrinët indianë, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur.

Bëhet e ditur se autobusi po transportonte pelegrinë për në kampin bazë të tempullit të famshëm Mata Vaishno Devi, kur u sulmua në distriktin Reasi të rajonit.

Disa nga viktimat kishin plagë me armë zjarri, ka njoftuar një oficer policie në kushte anonimiteti.

Por, askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin, i cili la të plagosur edhe disa të tjerë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, sulmi ndodhi në kohën kur kryeministri i Indisë Narendra Modi, i njohur për qasjen e tij të ashpër ndaj Kashmirit, ishte duke u betuar për një mandat të tretë.

Ndryshe, në vitin 2019, qeveria Modi hoqi statusin special të Jammu dhe Kashmir.

Lexo po ashtu Narendra Modi betohet si kryeministër i Indisë për herë të tretë

Që nga viti 1954, rajoni me shumicë myslimane ka qenë gjysmë autonom, me një kushtetutë të veçantë.

Rajoni tani drejtohet nga zyrtarë qeveritarë të pazgjedhur dhe ka humbur flamurin, kodin penal dhe kushtetutën.

Grupet rebele kanë luftuar që nga viti 1989 për pavarësinë e Kashmirit ose bashkimin me Pakistanin fqinj.

Shumica e banorëve myslimanë të Kashmirit mbështesin qëllimin rebel për bashkimin e territorit, qoftë nën sundimin pakistanez ose si një vend i pavarur.

Ndërkohë New Delhi këmbëngul se militantët e Kashmirit janë terrorizëm i sponsorizuar nga Pakistani, akuzë kjo të cilën pakistanezët e mohojnë. /Telegrafi/