Telegrafi

Të paktën 50 të vdekur pas një sulmi vetëvrasës në një xhami të Afganistanit

Një shpërthim me bombë ndaj besimtarëve në një xhami shiite në qytetin afgan të Kunduz vrau të paktën 50 persona të premten, incidenti më i përgjakshëm që kur forcat amerikane u larguan nga vendi.

Sipas France24, përcjell Telegrafi, një burim mjekësor në Spitalin Krahinor Kunduz tha se 35 të vdekur dhe më shumë se 50 të plagosur ishin dërguar atje, derisa një punëtor në spitalin e “Mjekëve Pa Kufij”, raportoi 15 të vdekur.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, deklaroi më herët se një numër i panjohur njerëzish ishin vrarë dhe plagosur “kur një shpërthim ndodhi në një xhami të besimtarëve shiitë”, në Kunduz.

Pamjet e publikuara gjerësisht në rrjetet sociale tregojnë momentet pas shpërthimit teksa shihen njerëzit e shtrirë në tokë.

Duke cituar një zyrtar policor, AP News raporton se sulmi mund të jetë kryer nga një sulmues vetëvrasës i cili hyri në mesin e besimtarëve. /Telegrafi/