Më shumë se 40 persona humbën jetën në zjarret që përfshiu Mesdheun dhe mijëra u evakuuan.
Greqia po përgatitet për më shumë fluturime evakuimi nga Rodosi, pasi zjarret nuk janë frenuar në ishujt e Korfuzit dhe Evias.
Vala e të nxehtit që ka mbërthyer shtetin grek nuk po zbutet dhe temperaturat pritet të rriten mbi 44 gradë Celsius, raporton skynews.
Numri më i madh i të vdekurve deri më tani është në Algjeri, ku mes 34 viktimave ishin 10 ushtarë të rrethuar nga flakët gjatë evakuimit. Bejaia është zona më e prekur ku humbën jetën 23 persona, sipas mediave lokale.
Autoritetet algjeriane kanë thënë se 80 për qind e zjarreve janë shuar që nga e diela, por përpjekjet e mëdha për shuarjen e zjarrit vazhdojnë. Ka rreth 8000 njerëz dhe qindra makina zjarrfikëse në terren.
Zjarret përfshiu edhe Tunizinë fqinje, ku 300 persona duhej të evakuoheshin nga fshati bregdetar Melloula.
Në Greqi, Ministria e Mbrojtjes Civile ka lëshuar një paralajmërim për rrezik ekstrem nga zjarri në gjashtë nga 13 rajonet e vendit. Në ishullin Rodos, më shumë se 20 mijë njerëz janë evakuuar nga shtëpitë dhe vendpushimet e tyre në jug ditët e fundit.
Kompanitë e pushimeve Jet2 dhe Tui kanë anuluar nisjet për në Rodos për ditët në vijim. /Telegrafi/