Telegrafi

Të paktën 28 të vdekur pasi treni doli nga shinat në Pakistan

Të paktën 28 persona kanë mbetur të vdekur pasi një tren që udhëtonte nga porti i Karaçit në jug të Pakistanit për në Abbottabad doli nga shinat në qytetin Nawabshah në provincën Sindh.

“Ky është një aksident mjaft i madh”, tha para gazetarëve ministri i Hekurudhave, Khawaja Saad Rafique.

Sipas informacioneve të deritanishme, 28 pasagjerë kanë vdekur dhe shumë janë lënduar, raporton aljazeera.

“Do të ishte e parakohshme të flitet për shkakun e aksidentit, i cili mund të jetë një defekt mekanik ose një akt terrorist”, shtoi ministri.

Rreth 50 persona janë lënduar në aksident, tha për agjencinë e lajmeve dpa, Muqarrab Khan, oficer i policisë lokale nga rrethi Sanghar i Sindhit.

Aksidentet dhe daljet nga shinat ndodhin shpesh në sistemin e vjetër hekurudhor pakistanez. Në qershor të viti 2021 dy trena u përplasën pranë Daharki në Sindh, ku kanë vdekur të paktën 65 persona dhe janë lënduar rreth 150 të tjerë. /Telegrafi/