BBC ka raportuar se të paktën 20 civilë janë vrarë në Luginën Panjshir të Afganistanit, vendi që ka parë luftime mes talebanëve dhe forcave opozitare. Komunikimet janë ndërprerë në luginë, duke e bërë të vështirë raportimin, megjithatë medium britanik ka dëshmi të vrasjeve nga talebanët pavarësisht premtimeve për përmbajtje.
Pamjet nga një anë e pluhurosur e rrugës në Panjshir tregojnë një burrë i veshur me veshje ushtarake i rrethuar nga luftëtarët talebanë. Dëgjohet e shtëna me armë derisa ai rrëzohet në tokë.
Nuk është e qartë nëse personi i vrarë ishte anëtar i ushtrisë – uniformat luftarake janë të zakonshme në rajon. Në video një kalimtar këmbënguli se ai ishte civil.
Për të njëjtin rast në fjalë, mediumi DailyMail ka publikuar një video që me sa duket tregon momentin kur burri vritet nga talebanët.
BBC ka vërtetuar se ka pasur të paktën 20 vdekje të tilla në Panjshir.
Një nga viktimat ishte një dyqanxhi dhe baba i dy fëmijëve, i quajtur Abdul Sami.
Burimet lokale thanë burri nuk do të ikte kur talebanët avancuan, duke iu thënë atyre se ishte “vetëm një pronar i varfër i dyqanit dhe se nuk kishte asnjë lidhje me luftën”.
Por ai u arrestua, i akuzuar për shitjen e kartave SIM të luftëtarëve të rezistencës. Disa ditë më vonë trupi i tij u hodh pranë shtëpisë së tij. /Telegrafi/