Telegrafi

Të paktën 18 persona digjen për vdekje në një aksident autobusi në Pakistan

Të paktën 18 persona kanë vdekur  dhe 16 janë plagosur pasi një autobus ka marrë flakë në provincën lindore Punjab të Pakistanit.

Automjeti, i cili po shkonte drejt kryeqytetit të Islamabadit, goditi një furgon që ishte parkuar në një anë të autostradës përpara se të shpërthejë në flakë.

Drejtuesit e të dy mjeteve kanë humbur jetën, njoftoi policia, raporton skynews.

Furgoni bartte tre fuçi benzinë, gjë që shkaktoi një ferr që përfshiu autobusin dhe automjetin, tha oficeri i lartë i policisë Fahad Ahmed.

Në autobus kishte më shumë se 40 pasagjerë. Disa pasagjerë janë në gjendje kritike për shkak të djegies së rëndë. Të tjerët u detyruan t’i shpëtonin autobusit duke dal jashë përmes dritareve, ku kanë pësuar djegie të lehta.

Përplasjet vdekjeprurëse janë të zakonshme në Pakistan, ku rregullat e trafikut ndiqen rrallë dhe rrugët në shumë zona rurale janë në gjendje të keqe.

Më shumë se 40 njerëz vdiqën në janar pasi një autobus ra në një luginë dhe mori flakë në provincën jugore pakistaneze të Balochistanit. /Telegrafi/