Të paktën 15 persona kanë vdekur për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë gjatë 24 orëve të fundit në Indi, ndërsa temperaturat vazhdojnë e rriten.
Bëhet e ditur se vdekjet janë regjistruar në rajonin Rourkela të Odisha dhe në Bihar, Rajasthan, Jharkhand dhe kryeqytetin Delhi.
Vapa e madhe vjen ndërsa India po mban zgjedhjet e saj të përgjithshme, rezultatet e të cilave do të shpallen më 4 qershor.
Siç thekson edhe gjykatësi i qarkut Bhojpur në Bihar, në mesin e të vdekurve ka edhe policë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Pavarësisht se ka objekte mjekësore në qendrat zgjedhore, është dita më e nxehtë”, tha Kumar.
Gjithashtu, ai tha se rreth 30-40 njerëz janë pranuar së fundmi në spital për shkak të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë.
Qendra Kombëtare e Indisë për Kontrollin e Sëmundjeve i quan këto raste si “kërcënuese për jetën”, me një shkallë vdekshmërie prej 40 deri në 64 për qind.
Siç raportohet, nxehtësia në veri, qendër dhe perëndim të Indisë ka qenë e madhe për dy javët e fundit, me temperaturat maksimale që lëviznin rreth 45 dhe 46 gradë Celsius, e në disa zona edhe deri në 50 gradë Celsius.
Disa rajone po përjetojnë edhe mungesë të madhe të ujit dhe energjisë elektrike, si dhe po përballen me rritje të numrit të zjarreve shkaku i temperaturave në rritje.
Zyrtarët ende janë duke hetuar nëse temperatura e regjistruar prej 52.9 gradë Celsius në Mungeshpur ishte e vërtetë, apo sensori nuk ishte funksional.
Ndryshe, India u përball me një rritje prej 55 për qind të numrit të vdekjeve për shkak të nxehtësisë midis viteve 2000-2004 dhe 2017-2021, sipas një studimi të botuar në revistën mjekësore The Lancet. /Telegrafi/