Gjatë ditës së sotme në qytetin e Mitrovicës është mbajtur një aktivitet promovues ndaj kujdesit të shëndetit mendor.
Në këtë aktivitet ishin dy fjali të vendosura, e të cilat ishin tërheqëse për qytetarët. Ato ishin: “Të kërkosh ndihmë është një hap i guximshëm” dhe “Shëndeti mendor prioritet”, shkruan Telegrafi.
Ky aktivitet u organizua nga qendra “Diakonia Kosova” në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Ministrisë së Drejtësisë (MD).
Drejtoresha e kësaj qendreje, Albina Koliqi -Musliu, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i kujdesit ndaj shëndetit mendor.
Koliqi – Musliu ka thënë se në përgjithësi në shoqërinë tonë ekziston një stigmë më e lartë në raport me shërbimet e shëndetit mendor.
“Ne si institucion prej 12 vitesh ofrojmë shërbime falas psikologjike. Kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë personat që kanë kaluar ngjarje të vështira jetësore dhe që në përditshmëri kanë vështirësi në funksionim, të vijnë dhe të marrin shërbime falas nga profesionistët që janë të trajnuar dhe të specializuar në trauma-terapi”, ka thënë ajo.
Drejtoresha e qendrës është shprehur se më herët ka pasur aktivitete të ngjashme por sipas saj, kjo është hera e parë që organizohet një aktivitet në mbështetje nga dy ministri, transmeton Telegrafi.
Koliqi – Musliu ka thënë tutje se çdo herë vërehet një interesim më i theksuar ndaj shërbimeve të shëndetit mendor.
“Edhe sot vërejtëm që qytetarët patën kurreshtje se pse jemi në shesh dhe të mirë-informohen lidhur me shërbimet që i ofrojmë në kuadër të ‘Diakonia Kosova’. Patëm një interesim të theksuar dhe shumë qytetarë u afruan ta kuptonin më saktësisht qëllimin e aktivitetit”, ka shtuar ajo.
Drejtoresha e qendrës “Diakonia Kosova”, Albina Koliqi – Musliu ka bërë të ditur se ky aktivitet është mbajtur sot nga ora 11:00 deri në orën 13:00. /Telegrafi/