Telegrafi

A do të ishit vendosur në një hotel në shkëmb?

I inspiruar me një ndër pushimoret më mbresëlënëse në Norvegji, studioja arkitektonike-dizenjuese Hayri Atak ka krijuar koncept mbresëlënës për këtë hotel

Ideja e tyre paraqet hotelin me pishinë qelqi e cila “varet” në shkëmbin Preikestolen, pothuajse 600 metra mbi fjordin Lysefjorden, transmeton Telegrafi.

Hyrja në hotel gjendet në majë të shkëmbit, ndërsa ajo hapësirë njëherësh do të shërbejë si pushimore.

Nëntë apartamente dhe salloni i hotelit janë radhitur teposhtë ngjitur me shkëmbin e rrëpirët.

Megjithatë, sfida më e madhe për mysafirët e hotelit i pret në katin më të poshtëm, ku gjendet pishina e gjatë me fundin dhe anët nga qelqi.

Ata më të guximshmit do të kenë rastin që të lahen në pishinën plotësisht transparente dhe të kënaqen në pamjen unike të fjordit.

Ideja intriguese për këtë hotel ka lindur pasi që pronari i studios nga Stambolli Hayri Atak e ka parë fotografinë e mikes së tij të bërë gjatë udhëtimit në Norvegji dhe ka dëshiruar që atë dozë adrenaline ta futë edhe në dizajn të projektit të tij.

Si edhe shumë projekte të cilat i lëvizin kufijtë e arkitekturës, edhe ky hotel me pishinë në shkëmb mbase kurrë nuk do të jetë i ndërtuar.

Mirëpo, ithtarët e adrenalinës do t’i gëzojë lajmi që së shpejti do të mund të lahen në pishinën qiellore në Londër, e cila aktualisht është në ndërtim, ndërkaq në po këtë qytet pritet ndërtimi edhe i pishinës transparente e cila do të gjendet në majë të rrokaqiellit. /Telegrafi/