Telegrafi

Të huajt: Shqipëria e fitoi “botërorin” e saj

“Afrika e Jugut gjithnjë e më larg për Portugalinë”, “Kombëtarja i largohet botërorit”, këto kanë qenë komentet e gazetave portugeze të nesërmen e ndeshjes se Portugalisë përballë një Shqipërie që kishte mbetur me 10 lojtarë. “Poshtërim”, “Gjëmë”, “Turp”, ishin disa nga citimet e tjera të shtypit të përditshëm portugez dhe jo vetëm atij sportiv.

Ekipi kombëtar ishte në qendër të të gjitha gazetave, që sipas “Correio da Manha”, ¬kishte zhvilluar një nga ndeshjet më të këqija këto 30 vitet e fundit. Ndërsa “A Bola” komenton se nuk ishte një ndeshje 0-0, por një ndeshje nën zero. “Edhe duke luajtur në shtëpi, me lojtarët më të mirë të botës, duke luajtur përballë një ekipi me 10 lojtarë, nuk fitojmë,” – shkruhet në një të përditshme tjetër sportive.

Për gazetën “¬Jornal de Noticias”, me këtë ndeshje “dërrmuese”, ekipi “ka komplikuar detyrën për t’u kualifikuar në botëror”. “Tani gjithçka duhet të llogaritet,” – shkruan “Record”, duke shtuar dobësitë taktike të trajnerit Karlos Kueiroz. “Ekipi i Kueirozit gjithnjë e më larg botërorit,” – shkruan “Diario de Noticias”, ndërsa “Correio da Manha” publikon një foto, duke treguar kurrizin e trajnerit me titull: “Kueiroz nën zero”. Përtej këtij barazimi të ¬merituar, sipas “A Bola”, shtypi portugez shton edhe mungesën e dashurisë mes portugezëve dhe lojtarëve të ekipit kombëtar.

“Një president federate, Gilberto Madail, i cili largohet nga stadiumi 10 minuta para përfundimit, lojtarë që shajnë publikun e pakënaqur, një trajner që bojkoton deklaratat tradicionale pas ndeshjes, ¬na ka ardhur në majë të hundës me këtë lloj filmi,” – shkruan e përditshmja sportive “Record”. “Queiroz ka prerë kordonin lidhës mes kombëtares dhe portugezëve, duke i lënë lojtarët jetimë nga empatia fantastike popullore që i bënte ata të hynin në stadium me detyrën për të shëruar plagët e atdheut, të mbrojtjes së krenarisë dhe që të na prezantonin të gjithëve ne,” – pohon editorialisti i gazetës në fjalë.

Por nëse gazetat portugeze e kanë kryqëzuar kombëtaren e tyre, shtypi tjetër i huaj ka thënë fjalë të mira për ekipin shqiptar. “Shqipëria e fitoi botërorin e saj”, – shkruan prestigjiozja franceze “L’Equipe”, e cila përmend edhe faktin se si futbollistët më të mirë të botës nuk arrijnë të fitojnë përballë një ekipi modest në synimet e veta. Natyrisht, edhe në sitet e tyre, FIFA dhe UEFA, kishin pasqyruar barazimin e Shqipërisë në Portugali. “Shqipëria më 10 lojtarë ndal Portugalinë,” – ishte titulli i komentit të ndeshjes në sitin zyrtar të FIFA-s. Por jehona e kësaj ndeshjeje është pasqyruar edhe në mediat spanjolle. “Yjet e Portugalisë turpërohen,” – ishte titulli i “Marca”, e cila kishte në shënjestër Kristiano Ronaldon me shokë, të cilët nuk arritën të shënonin dot një gol.

Por ky barazim historik i Shqipërisë ka pasur jehonë edhe në Kosovë e Maqedoni, ku natyrisht shtypi vendës i ka quajtur heronj kuqezinjtë. /Sporti Shqiptar/