Shkëndija sonte do ta vazhdojë udhëtimin evropian nëpër Lituani, ku do të përballet me Trakain në ndeshjen e parë të rrethit të tretë të eliminatoreve për Ligën e Evropës.
Pasi e eliminuan në rrethin e parë Dacian pa pikë problemi, “Shqiponjat” triumfuan edhe në rundin e dytë përballë Helsinkit, duke e mundur me rezultat të përgjithshëm 4:2 nga dy ndeshjet e zhvilluara ndërmjet vete, shkruan sot gazeta Zëri.
Ndërsa tani klubi i madh shqiptar nga Maqedonia, në pronësi të familjes Destani dhe të “Ecolog”-ut, synon ta bëjë hapin tjetër të madh drejt fazës së grupeve, gjë që është prioritet dhe ëndërr e kahershme e Shkëndijës.
“Ne vazhdimisht kemi hyrë nga ndeshja në ndeshje për të mos u ngarkuar psikikisht. Ne do të vazhdojmë ta marrim secilën ndeshje veç e veç. Duam të vazhdojmë me këso rezultatesh dhe të shkojmë sa më larg”, ka deklaruar trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.
Ndeshja ndërmjet Trakait dhe Shkëndijës zhvillohet të enjten prej orës 18:30. Kjo do të jetë hera e katërt në histori që Shkëndija ndeshjen e parë do ta luajë si mysafire.
Të enjten e kaluar në Finlandë, kundër HJK Helsinkit, skuadra shqiptare zhvilloi ndeshjen e 20-të te kupat evropiane, ku është përballur nga dy herë me 10 kundërshtarë, pesë prej të cilëve ka arritur t’i eliminojë.
Prej Partizanit të Beogradit, në debutim në vitin 2011, e deri te HJK Helsinki të enjten e kaluar Shkëndija regjistron 8 fitore, 5 barazime dhe 7 disfata.