Site icon Telegrafi

Të gjithë në këmbë për Xherdanin dhe Majlindën

Ditën e parë të kësaj fundjave të artë e filloi më së miri Majlinda Kelmendi. Në Grand Masters të xhudos që u mbajt në Moskë të Rusisë, Majlinda si përfaqësuese e Kosovës arriti që të fitojë medaljen e artë.

Shumë prej nesh as që e kemi ditur se Majlinda po garonte për medalje në një tokë që tradicionalisht ka qenë kundër idealeve dhe ekzistencës së shqiptarit. Por, ajo arriti që ta bënte të pabesueshmen. Mposhti të gjithë, luftoi dhe i rrëzoi për toke të gjitha konkurrentet e saj për të buzëqeshur me simbolin shtetëror të Kosovës në gjoksin e saj, teksa po mbante në dorë medaljen e artë.

Krenar u bëmë, s’ka fjalë për këtë. Më së miri kjo u vërejt në disa foto nëpër rrjete sociale, ku fytyra të ndryshme prominente krahas urimeve për Majlindën, u ndjenë krenarë që sportistja jonë më e mirë buzëqeshte para kamerave ruse dhe fliste shqip në mikrofonët e televizioneve ruse. E papërshkrueshme, fantastike kjo ndjenjë.

Në mbrëmje të kësaj të shtune të 25 majit të vitit 2013 u zhvillua finalja e madhe e Ligës së Kampionëve. Spikatën ekipet gjermane dhe miliona gjermanë anë e mbanë botës. Por, në mesin e kësaj galaktike shëndriti një yll i madh.

Xherdan Shaqiri ndonëse nuk luajti në ndeshjen më të rëndësishme të jetës së tij, arriti që të motivojë e inspirojë bashkëlojtarët drejt suksesit të jashtëzakonshëm, ngritjes së trofeut të garës më prestigjioze të futbollit evropian.

Dhe, me të përfunduar sfida rezultatin e të cilës dhe fituesin sigurisht që e dini, fakti që na gëzoi nuk ishin të lartpërmendurat, por historinë që shkroi Xherdan Shaqiri – të cilin quajeni ju apo jo, tani është legjendë. Ai është shqiptari i parë që arrin të fitojë trofeun më të rëndësishëm në futboll, majen që mund ta arrijë një futbollist, një sportist. Në sy të gjithë botës.

Kjo është arsye dhe burim krenarie për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, por arsyeja më e madhe që i bëri njerëzit të ndihen krenarë që janë shqiptarë është që vet Xherdani kishte ndjenjën e tillë. Ai ishte ndjerë shumë krenar, sa që shpalosi në shpinë flamurin shtetëror të Kosovës duke shfaqur gëzimin e tij në gjithë fushën, në sytë e gjithë botës, para më shumë se 1 miliardë shikuesve. Epike, e papërshkrueshme ndjenja.

Se Xherdani na bëri krenar, kjo as që diskutohet. Nëpër rrjetet sociale, bare, restorante dhe nëpër rrugë flitej për të, jo për Bayernin. Për të dhe për xhestin e tij, që bëri krenarë të gjithë, por edhe demantoi të gjithë.

Mos e quani Xherdanin tradhtar, nëse nuk luan për kombëtaren shqiptare. Mos e quani tradhtar një njeri, i cili krenohet me të qenurit shqiptarë në sy të gjithë botës, e ngrit trofeun më të rëndësishëm në futboll me këtë flamur në krah, gjë që lojtarët e kombeve tjera nuk e bëjnë.

Prandaj, le të shfrytëzojmë këtë moment për të nderuar këta dy kolosë që do të hyjnë në historinë tonë. Le të shfrytëzojmë momentin që të ngrihemi në këmbë në shenjë respekti për të arriturat e tyre, me shpresën se ata do të arrijnë më shumë. Me shpresën se Majlinda do të përkrahet edhe më shumë nga institucionet tona. Me shpresën se Xherdani më nuk do të quhet tradhtar, por legjendë shqiptare dhe që kjo të dëshmohet është tetori, kur Xherdani do të luajë në tokën e tij kundër kombëtares shqiptare. /Telegrafi/ 

Exit mobile version