Poezi nga: Stefano Benni
Përktheu: Maksim Rakipaj
Të ngresh vërtet krye
lypset ëndrra të kesh
që të përvëlojnë dhe kur zgjuar je,
lypset dhëmbje të kesh prej padrejtësisë,
atë ethe të kesh
që njeriut i heq
sëmundjen e frikës,
babëzisë, servilizmit.
Të ngresh vërtet krye
përtej mureve
duhet të shohësh
përtej detit
përtej përmasave të botës.
Mjerimi njerëzor
kudo tokën përvëlon,
por një zjarr shterp është
që zhduk e varfëron më tepër.
Është zjarr që urren atë që e ndez,
çka mbetet është hi pa histori.
Të dish të djegësh vetëm çka duhet
prej nga bar i ri të mbijë,
kjo është të ngresh krye vërtet.