Site icon Telegrafi

Tatuazhi flet për ju

Tatuazhi tregon edhe intensitetin e ndjenjës kundrejt partnerit. Nëpërmjet tatuazhit shprehen njëkohësisht ëmbëlsia dhe pasioni. Po ju, cilit tatuazh i përkisni?

Tatuazhi qe ju zgjidhni është përgjithmonë apo vetëm për një natë të veçantë? I dukshëm apo në një pjesë të trupit që ta tregoni vetëm atëherë kur të doni ju? Edhe vizatimet në lëkurë ju thonë se si jeni.

Sa duhet të zgjasë?

I përkohshëm: jeni e paqëndrueshme
Ëndërrimtare dhe krijuese, afria juaj me jetën është shumë pozitive. Nuk i duroni dot zakonet e përditshme dhe përpiqeni gjithmonë të shpikni ndonjë gjë të re që t’i karakterizojë dhe t’i dallojë ditët tuaja.
Kohën e lirë dëshironi ta kaloni në ajër të pastër dhe në shoqërinë e dikujt që, ashtu si puna juaj, nuk e duron dot monotoninë. Baza e gjallërisë suaj është vetëvlerësimi, i ndërtuar falë dashurisë së familjes dhe miqve tuaj.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… Nuk i duroni dot zgjedhjet përfundimtare dhe e mbroni gjithmonë të drejtën tuaj për të ndryshuar mendim. Zgjedhja për të bërë një tatuazh të përhershëm ju duket shumë e fortë. Parapëlqeni të luani me ato që hiqen, duke shpikur pamje të veçanta për mbrëmje zbavitëse.

Përgjithmonë: jeni e vendosur
Keni një karakter të fortë dhe shumë energjik. Jeni e sigurt në vetvete dhe te njerëzit që ju rrethojnë. Është e pamundur t’ju shohësh të mërzitur për diçka: edhe në çastet më të vështira, jeni e aftë të kapni aspektet pozitive dhe t’i konsideroni si pikënisje.
Ka nga ata që mendojnë se juve ju shkon gjithçka mirë: në të vërtetë nuk është kështu. Nëse arrini atë që doni është sepse keni punuar shumë për atë gjë.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… U shkoni deri në fund zgjedhjeve tuaja dhe nuk keni frikë nga gjykimi i të tjerëve. Besoni vetëm në shpirtin tuaj kritik. Filozofia e jetës suaj është “jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”. Për ju është e rëndësishme të keni hapësirën tuaj private, por gjithashtu keni shumë respekt edhe për atë të të tjerëve.

Ku e bëni?

Në një vend që duket: jeni kokëfortë
Jeni një grua shumë femërore dhe sensuale. Ju pëlqen që të tjerët t’ju shikojnë dhe t’ju vijnë rrotull. Ju pëlqen ta eksperimentoni hirin tuaj te një i panjohur.
Feminiliteti juaj është shumë i veçantë, që zbulohet dalëngadalë dhe nga përmbajtja e lartë joshëse. Kokëfortë dhe ndonjëherë agresive, ngulni këmbë për çdo gjë, edhe për ato gjëra që në fund të fundit nuk ju interesojnë shumë.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… Mendoni se tatuazhi u çon një mesazh të qartë të tjerëve për mënyrën se si jeni ju: përfaqëson një mënyrë për të komunikuar, për të kërkuar një dialog dhe sidomos për të dalë nga anonimati dhe banaliteti.

Në një zonë të fshehur: jeni besnike
Inkurajuese dhe besnike: jeni vajza ideale për t’u patur shoqe. Ju jeni gjithmonë e gatshme; dini të mbani sekretet dhe për këtë arsye të gjithë miqtë tuaj ju kanë si njeriun e tyre të besuar. Kur dikush jua punon me pa të drejtë, ju shndërroheni dhe nuk falni.
Hakmarrëse deri në fund, nuk e toleroni tradhtinë, si në fushën sentimentale ashtu edhe në atë të miqësisë. Është e pamundur të rifitosh besimin tuaj.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… Nuk ju pëlqen të jeni në qendër të vëmendjes.
Tatuazhi është zgjedhja juaj personale dhe doni të mbetet i tillë. Nuk i duroni dot njerëzit që do të bënin gjithçka për t’u vënë re: ju nuk keni nevojë. Ju pëlqen vetja kështu siç jeni dhe miqtë ju duan pikërisht për këtë karakter të mrekullueshëm që keni.

Çfarë vizatimi doni?

Kafsha e parapëlqyer: jeni instiktive
Pavarësisht nga mosha juaj e vërtetë, brenda ndiheni ende fëmijë. Jeni gjithmonë e gatshme të hidheni në aventura të reja për të kënaqur kureshtjen tuaj dhe nga dëshira për të zbuluar diçka të re dhe origjinale, që t’ju largojë nga jeta e përditshme.
Ndonjëherë ky shpirti juaj merr disa tipare fëmijërore: ju pëlqen që t’ju ledhatojnë dhe të jeni në qendër të mendimeve të partnerit. Nuk jeni gjithmonë e sinqertë dhe
ndonjëherë luani pak si shumë me ndjenjat e të tjerëve, edhe pse s’e bëni me dashakeqësi, por vetëm nga mendjelehtësia e tepruar.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… E ndieni se keni shumë ngjashmëri me kafshën që keni zgjedhur. Ndonjëherë ju pëlqen të udhëhiqeni nga instinkti dhe të nxirrni pjesën më të ndjeshme tuajën. Kjo ndodh sepse ju e doni lirinë dhe nuk duroni dot të ndiheni e burgosur nga kushte apo rregulla të shoqërisë. Edhe durimi nuk është pika juaj e fortë: ndoshta prandaj shpesh nuk i arrini qëllimet tuaja.

Emrin e partnerit tuaj: jeni e ndjeshme
Mallëngjeheni shumë shpejt dhe shpesh derdhni edhe lot gëzimi. Bota juaj e ndjenjave është shumë e madhe dhe nuk keni frikë ta nxirrni në pah.
Pëlqeni shumë misterin sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhënie sentimentale: ju pëlqen t’ju joshin me elegancë dhe durim. Ndonjëherë për të ndjekur histori me meshkuj tërheqës dhe trasgresiv, keni lënduar veten dhe ju është dashur të ndaloni përpara se të vuani më tepër.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… E keni quajtur si një veprim dashurie ndaj partnerit tuaj. Ju pëlqen ideja për ta patur gjithmonë me vete nëpërmjet kësaj shenje në lëkurën tuaj. Ju duket sikur ai ju përket dhe mund t’ju shoqërojë edhe në çastet më të vështira, kur ndoshta nuk mund të jetë “fizikisht” me ju.

Nuk do ta bënit asnjëherë: jeni e arsyeshme
Nuk jeni një tip për tatuazhe. Dhembja ju tremb. Por nuk është vetëm një çështje “vuajtjeje”. Ajo gjë që s’arrini ta konceptoni dot është kuptimi i tij. Jeni një njeri i arsyeshëm, që i bëni gjithmonë problem gjërat që ju ndodhin: ju pëlqen t’u shkoni deri në fund atyre. Ndonjëherë miqtë ju akuzojnë se jeni pak si shumë “e rëndë” dhe “thumbuese”; por në të vërtetë, shpesh e vlerësojnë aftësinë tuaj analitike, sidomos kur kërkojnë këshilla prej jush.

Keni bërë këtë zgjedhje sepse… Përdorni mënyra të tjera për të shfaqur ndjenjat dhe emocionet tuaja ose aspekte të personalitetit tuaj. Ju pëlqen shumë të komunikoni me të tjerët, por pëlqeni “sistemet konvencionale” si telefonin, mesazhet. Nuk jeni as e ndrojtur dhe as e ngathët: nëse takoni dikë që ju duket interesant, e gjeni shpejt mënyrën për të hyrë në kontakt me të, shkruan Femra moderne. Për ju tatuazhi është vetëm një formë ekzibicionizmi tipik i njerëzve të pasigurt, që u pëlqen të jenë në qendër të vëmendjes. /Telegrafi/

Exit mobile version