“Ndjehem si zviceran. Por, është njerëzore, që të mos harrosh rrënjët tuaja. E gjithë familja ime vjen nga Kosova-Shqipëria”, është shprehur sulmuesi i Frankfurtit.
Sulmuesi shqiptar, Shani Tarashaj është shprehur se është i gatshëm për skuadrën e tij gjermane, Frankfurt, pasi u huazua nga Evertoni, shkruan albinfo.ch.
Ai u transferua në skuadrën gjermane për të pasur më shumë hapësirë. “Jam gati për të dhënë më të mirën. Jam i lumtur që jam gati dhe mund të japi kontributin tim në Frankfurt”, thotë Tarashaj për mediat gjermane.
Sulmuesi shqiptar ishte i pafat, pasi ishte lënduar dy herë, duke mos arritur të japë maksimumin. Tashmë duhet të adaptohet në skuadrën e re. “Në Zvicër shikohet shumë Bundesliga gjermane. Normalisht se e njoh mjaft mirë. Këtu është emocionuese të shikosh stadiume dhe tifozë të mrekullueshëm”, theksoi ai.
Tarashaj vendosi të luajë për Zvicrën, derisa tifozët në Kosovë shpresuan që ai të luajë për Përfaqësuesen kosovare. “Unë kam shkuar në shkollë zvicerane, jam rritur atje dhe luaj për kombëtaren helvete. Zvicra më ka ndihmuar tej mase. Andaj ndjehem si zviceran. Por, është njerëzore, që të mos harrosh rrënjët tuaja. E gjithë familja ime vjen nga Kosova-Shqipëria. Zemra ime rreh për të dyja palët”, u shpreh ndër të tjera Tarashaj.