Talibanët përfunduan “pastrimin” e tyre në jug të vendit të premten, derisa morën katër kryeqytetet e tjera provinciale në një ofensivë që gradualisht po rrethon Kabulin, vetëm disa javë para se SHBA-ja të përfundojë zyrtarisht tërheqjen e trupave.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, goditja e fundit e rëndësishme ishte humbja e kryeqytetit të provincës Helmand, ku forcat amerikane, britanike dhe forcat tjera aleate të NATO-s zhvilluan disa nga betejat më të përgjakshme në 20 vitet e fundit.
Qindra trupa të huaj u vranë në këtë provincë, e cila gjithashtu është një qendër kryesore e opiumit.
Militantët kanë marrë gjysmën e 34 kryeqyteteve provinciale të vendit ditët e fundit, përfshirë qytetin e dytë më të madh në vend dhe të tretin, Herat dhe Kandahar. Talibanët tani kontrollojnë më shumë se dy të tretat e vendit vetëm disa javë para se SHBA-ja të planifikojë tërheqjen e trupave të saj të fundit.
Derisa kryeqyteti i Kabulit nuk është ende drejtpërdrejt nën kërcënim, humbjet dhe avancimet në zonat tjera forcojnë më tej kontrollin e talibanëve.
Vlerësimi i fundit i inteligjencës ushtarake amerikane sugjeron se Kabuli mund të vihet nën presionin e talibanëve brenda 30 ditëve dhe se, nëse mbahen trendët aktuale, talibanët mund të fitojnë kontrollin e plotë të vendit brenda pak muajsh. /Telegrafi/