Performanca e Jack Wilsheres ndaj Shakhtar Donetskut nuk ishte asgjë tjetër pos sensacionale. Lëvizshmëria e tij, pasimi dhe leximi intuitiv i lojës përkundër 18 vjetëve të tij, na bëjnë të mendojmë se ai është në ngritje të majes së futbollit. Kësaj ia shtojmë dhe paraqitjen fantastike të anglezit ndaj Birminghamit në Emirates, e dyta me radhë kjo për të pushtuar titujt kryesorë të gazetave në Angli. Madje disa e quanin atë si lojtar tashmë të kompletuar.
Nuk duhet ta harrojmë dhe kartonin e kuq të talentit anglez, që për shumë ekspertë ishte shenjë pozitive, pasi që ekipi i Arsene Wenger akuzohej për butësi të tepruar, ndërsa një duelant ultra kompetitiv në mesfushë do të ishte copëza përfundimtare e një fotografie.
A mund të jetë Jack Wilshere, Patrick Vieria i ri? Një pohim ky qesharak nëse shikojmë fizikun, por në reflektimin e influencës kjo duket shumë e mundur. Wenger tha për Wilshere të martën mbrëma pas ndeshjes ndaj Shakhtarit se: “Pjekuria e tij është shumë vite përpara moshës së tij dhe kjo është shenjë e talentit”.
Krahasimet e 18 vjeçarit me një legjendë të tillë si Paul Scholes janë të natyrshme. Që të dy janë të fortë në fizik dhe të dytë e kanë aftësinë e radhë për të krijuar hapësirën gjatë kontrollimit të topit. Kjo nuk është e tëra. James Lawton i gazetës The Independent beson se autoriteti dhe besimi i Wilshere është i krahasueshëm me atë të Bobby Charlton, Alan Ball, Bobby Moore dhe Michael Owenit kur ishte në moshën e njëjtë.
Aq i mirë është Wilshere, sa që tifozët e Arsenalit që tani janë të brengosur se ai mund të largohet nga Emirates. Dhe, herët apo vonë, një prej ‘pleqve’ të ndryshkur të mesfushës së Anglisë do t’ia lëshojë rrugën një gjenerate të re me në krye Wilshere, që ashtu si Rooney në formën më të mirë, do të mbajë shpresat e një kombi mbi supe.
Një kohë Rooneyn në Old Trafford e quanin si Pelen e Anglisë. A e bën kjo Wilsheren të konsiderohet si Maradona i Anglisë?
/Telegrafi/